Lidhje

Depresioni më i përhapur nga ç’mendohej - 2003-06-18


Pavarësisht se kush jeni dhe se ku jetoni, ka shumë mundësi që në një moment të caktuar të jetës tuaj të vuani nga depresioni. Një numër jo i vogël personash vuajnë nga depresioni dhe për ta ka shumë rëndësi vendodhja sepse shumë vende në zhvillim nuk kanë mundësitë për të trajtuar si duhet personat e prekur nga sëmundja.

Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se rreth 6 për qind e burrave dhe pothuajse 10 për qind e grave preken çdo vit nga depresioni. Personat e sëmurë mund të shfaqin shenja të dëshpërimit, pagjumësisë ose të pamundësisë të përfshirjes në jetën e përditshme.

Sipas një studimi të botuar në buletinin e Shoqatës Mjekësore Amerikane, në Shtetet e Bashkuara, për shembull, 16 për qind e popullsisë së rritur vuan nga një shkallë a lartë depresioni. Autorja e këtij studimi, zonja Kathleen Merikangas e cila punon tek Instituti Kombëtar i Qeverisë amerikane për Shëndetin mendor, thotë se sëmundja e depresionit ka një shpërndarje më të madhe nga sa mendohej.

“Depresioni i thellë është shkaktari kryesor i paaftësisë në mbarë botën. Sëmundja e depresionit, për nga përmasat, ka kaluar edhe sëmundjen e zemrës, e cila deri më 1996 ishte shkaktari kryesor i paaftësive. ”

Dr. Donald Kessler dhe kolegët e tij në Departamentin e Mjeksisë në Universitetin Harvard, si dhe kërkues nga pesë institucione të tjera, studiuan të dhënat e marra nga intervista me afro 9 mijë amerikanë. Një pjesë e tyre kishin shfaqur simptoma të depresionit që rreth të 20-ave.

Depresioni ndeshet shumë më shpesh tek femrat sesa te meshkuj. Por studiuesit shtojnë se shpesh meshkujt e kanë shumë më të vështirë ta identifikojnë sëmundjen. “Ka rëndësi të pranohet fakti se meshkujt e prekur nga depresioni mund të mos përputhen plotësisht me imazhin që kemi krijuar ne për depresionin”, thotë doktor Insel.

Ka më shumë të ngjarë që gratë të flasin për ndjenja dëshpërimi dhe faji. Ndërsa burrat ndjejnë më tepër këputje dhe mungesë durimi si dhe humbjen e interesit për punën.

Si burrat ashtu edhe gratë preken nga depresioni si rrjedhojë e një çekuilibri kimik në tru. Por meshkujt shpesh reagojnë ndryshe ndaj depresionit: “Shpesh tek meshkujt vërehet një izolim social, që në fakt është një sinjal shumë i rëndësishëm i problemit”, thotë doktor Insel.

Jimmy Brown është zjarrfikës në qytetin e Nju Jorkut. Ai filloi të shfaqte shenja depresioni pas sulmeve të 11 shtatorit dhe thotë se shenjat po kristalizoheshin gjatë një periudhe disa javore derisa morën formë.

Ashtu si shumë meshkuj të tjerë, zoti Brown vuante edhe nga turpi që ndjejnë shumë pacientë të kësaj sëmundjeje:

“Burri nuk mendohet se mund të preket nga depresioni. Kështu thotë shoqëria. Djemtë rriten me ndjenjën se do të mbajnë familjen kur të rriten”.

Studimet e mëparshme në Shtetet e Bashkuara theksojnë se numri i personave që vuajnë nga depresioni rritet nga një brez në tjetrin. Ndërsa më parë mendohej se kjo sëmundja prekte kryesisht personat në moshë mesatare dhe të thyer, tani kjo sëmundje prek edhe personat në moshë të re në mbarë botën.

Me përhapjen e sëmundjes, është përhapur edhe niveli i terapisë për trajtimin e saj. Disa ilaçe të përdorura kundër depresionit kanë dhënë rezultate pozitive në drejtim të përmirësimit të gjendjes. Edhe psikoterapia, ka patur rezultate pozitive. Ajo që rekomandohet si kura më e mirë është një kombinim i psikoterapisë dhe trajtimit me ilaçe.

Por vendet në zhvillim ndodhen në një pozitë të vështirë pasi ato nuk kanë ilaçet për trajtimin e sëmundjes. Paul Bolton, punon pranë sektorit të Shëndetësisë Publike në Universitetin John Hopkins.

“Ilaçet kushtojnë shumë. Ilaçet që përdoren për trajimin e depresionit japin efekte anësore dhe shpesh abuzohet më sasinë e ilaçeve të përdorura. Ka edhe një problem tjetër sepse ndryshe nga ilaçet e përdoruara për të kuruar sëmundjet infektive, ilaçet që përdoren për të trajtuar depresionin merren për një kohë të gjatë si muaj dhe vite.”

Por në kushtet e mungesës së ilaçeve, a është psikoterapia e mjaftueshme në vendet në zhvillim? Zoti Bolton thotë se një studim interesant është zhvilluar në Ugandë i cili tregon se psikoterapia mund të sjellë rezultatet e dëshiruara.

Buletini i Shoqatës Mjekësore Amerikane bën të ditur për një studim në Ugandë ku mbi 225 gra e burra iu nënshtruan psikoterapisë për katër muaj. Përpara se personat e sëmurë t’i nënshtroheshin psikoterapisë, u vlerësua se 86 për qind e tyre vuanin nga një shkallë e lartë depresioni ndërsa pas psikoterapisë, kjo shifër u zvogëlua në 7 për qind. Zoti Bolton thotë se ka rezultate pozitive në këtë drejtim. “Duket se efektet e trajtimit mjekësor të depresionit janë pozitive. Nuk e dimë akoma se si ky trajtim ka dhënë rezultatet e tij. Përdorëm këtë terapi mbi një grup personash, por ndoshta mbledhja në grup e tyre dhe diskutimi i aspekteve të sëmundjes ishte çelësi i suksesit. Gjithsesi studimi tregoi se mund të arrihen zhvillime pozitive në trajtimin e sëmundjes duke përdorur me efektivitet burimet e kufizuara.”

Depresioni sjell pasoja të rënda ekonomike. Një studim tjetër i botuar në Buletinin e Shoqatës Mjekësore Amerikane tregon se depresioni në Shtetet e Bashkuara u shkakton kompanive 44 miliard dollarë humbje në vit si rezultat i rënies së prodhimtarisë. Personat e prekur nga sëmundja mungojnë shpesh në punë dhe nuk e kryejnë detyrën e tyre siç duhet. Autori kryesor i këtij studimi Walter Stewart, thotë se personat e prekur nga sëmundja kanë një rendiment 3 herë më të vogël sesa personat e shëndoshë.

“Pavarësisht se depresioni nuk është një sëmundje e përgjithshme në rradhët e fuqisë punëtore, kjo sëmundje sjell pasoja shumë negative. Shumë prej pasojave të sëmundjes janë të padukshme.”

Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se shumica e studimeve për pasojat ekonomike të depresionit janë zhvilluar në vendet e zhvilluara. Megjithatë ai shton se pasojat e depresionit mbi ekonominë në përgjithsësi janë të larta edhe në vendet e tjera.//kk//

XS
SM
MD
LG