Lidhje

Tiranë: Parlamenti shqiptar nisi debatin për reformën zgjedhore - 2003-06-19


Parlamenti shqiptar nisi sot diskutimet mbi reformën zgjedhore të parashtruar në amendamentet e Kodit zgjedhor të përgatitura nga komisioni dypalësh pozitë - opozitë për afro një vit punë të përbashkët me specialistët e OSBE. Janë më tepër se 66 nene të reja që reformojnë thellësisht sistemin dhe procesin zgjedhor të Shqipërisë, të cilave u bashkangjiten edhe disa ndryshime në ligjin për policinë e shtetit, sa i takon rolit të forcave të rendit gatë zgjedhjeve.

Përmirësimet ligjore u përgatitën mbi bazën e rekomandimeve të OSBE dhe zyrës ODIHR për institucione demokratike dhe të drejta njerëzore, që u hartuan pas vëzhgimit të zgjedhjeve të fundit problematike në Shqipëri.

Deputetë të partive të vogla i dhanë një kthesë të papritur seancës parlamentare, duke kërkuar shtyrjen e diskutimeve për një kohë tjetër, pasi nuk ishin njohur me to dhe nuk pranonin disa prej tyre, që ishin hartuar me miratimin vetëm të dy partive kryesore, PS dhe PD. Për disa orë seanca u bllokua në sqarime të procedurave parlamentare. Deputetë të PS dhe PD pohuan se amendamentet e Kodit u përgatitën dhe u miratuan me kujdes për një kohë të gjatë, falë edhe ndihmës ligjore të specialistëve të OSBE. Por përfaqësues të partive të vogla pretenduan se forma proceduriale se si ato kishin ardhur në seancë plenare nuk ishte e rregullt. Komisioni dypalësh pozitë- opozitë për reformën zgjedhore u ngrit një vit më parë me mirëkuptimin e forcave kryesore politike, pas një memorandumi që u nënshkrua nga Nano dhe Berisha ne zyrat e OSBE. Komisioni do të përpiqet të shmangte përsëritjen e shkeljeve ligjore që u vërejtën në zgjedhjet e fundit të kontestuara, nga tejzgjatja dhe manipulimet. Raporti i vëzhguesve ndërkombëtarë renditi një seri shkeljesh në zgjedhje, që kishin të bënin me ndryshime të rezultateve në kutitë e votimit, zgjatjen e dyshimtë në 5 raunde zgjedhore, falsifikime të dokumentave të zgjedhjeve, akte dhune si dhe kritika ndaj KQZ dhe gjykatave që trajtuan ankesat e kandidatëve për deputetë. Reforma zgjedhore është një nga kushtet kryesore që institucionet perëndimore dhe BE i kanë vendosur autoriteteve shqiptare në përpjekjet për integrimin në strukturat euro - atlantike. Ndër kushtet e tjera janë edhe ligji i ri për pronat, luftë ndaj trafiqeve dhe krimit të organizuar, goditja e korrupsionit administrativ dhe reformimi i ekonomisë. //ss//

XS
SM
MD
LG