Lidhje

Bashkëpunimi rajonal në Ballkan- temë kryesore e takimit të Selanikut - 2003-06-19


Kur udhëheqësit evropianë të mblidhen për takimin e tyre në Greqi, temë kryesore në rendin e ditës do të jenë mënyrat për të nxitur bashkëpunimin në rajonin e Ballkanit.

Plani i Bashkimit Evropian për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit perëndimor nxjerr si kërkesë fillestare bashkëpunimin rajonal. Kjo nënkupton lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave, garanci për investimet e huaja dhe një fushatë agresive kundër korrupsionit që paraqet një problem shumë të madh në të gjithë Ballkanin.

Përparimi është i ngadaltë dhe jo i qëndrueshëm. Por Genc Krasniqi, jurist shqiptar, mendon se ekziston një vullnet i ri për ta përqëndruar vëmendjen në problemet e përbashkëta: “Ne kemi pak a shumë të njëjtat probleme si në Shqipëri, Maqedoni, Kosovë, Serbi dhe Mal të Zi, Kroaci, Slloveni dhe Bosnjë. Ne po kalojmë të njëjtat faza. Prandaj bashkëpunimi, shkëmbimi i ideve është çelësi i suksesit, përveç angazhimit në zbatimin e projekteve individuale,” thotë zoti Krasniqi.

Në Mal të Zi, qeveria vë në dukje qëndrueshmërinë politike dhe vendosmërinë për t’i siguruar sukses federatës së re me Serbinë. Bankieri Vladimir Zecar mendon se së paku qeveria është e gatshme të heqë dorë nga kontrolli mbi veprimtarinë ekonomike dhe të privatizojë ndërmarrjet: “Këtu në Mal të Zi, në këtë sektor përfshihen kryesisht hotelet dhe turizmi. Si rrjedhojë e burimeve natyrore që ofron Mali i Zi mendoj se ky do të ishte një ndër sektorët e parë për privatizim. Por duhen gjithashtu edhe investime në infrastrukturë,” thotë zoti Zecar. Por pasionet etnike janë ende të forta. Të dielën e kaluar kjo u pa qartë në një ndeshje sportive ndërmjet Kroacisë dhe Serbisë, që u shoqërua me akte dhune dhe dëmtim të konsiderueshëm pasurie. Megjithatë, kjo nuk e ka cënuar angazhimin dypalësh për të vendosur lëvizjen pa viza ndërmjet dy vendeve fqinje.

Vendet e Ballkanit presin me padurim antarësim në Bashkimin Evropian dhe thonë se do të përmbushin kërkesat e Bashkimit për një bashkëpunim më të afërt. Genc Krasniqi mendon se angazhimi i përbashkët drejt antarësimit në Evropë do të ndihmojë në kapërcimin e fërkimeve etnike.

“Çështjet racore, ndjenjat nacionaliste duket se na e kanë penguar vizionin. Ne po ecim në të njëjtën rrugë. Prandaj mendoj se 5-6 vjet më pas do të mund të ulemi pranë njëri-tjetrit, duke harruar se flasim gjuhë të ndryshme dhe se u përkasim kulturave të ndryshme. Monedha e përbashkët euro dhe gjuha angleze do të na bashkojnë,” thotë zoti Krasniqi.

Mbeten për t’u trajtuar edhe çështjet praktike në ekonomi. Zotit Krasniqi, sa herë që shkon në Mal të Zi, i duhet të udhëtojë në rrugë të prishura, të cilat mund t’i përballojë vetëm kamioni dhe janë linjat jetike për shkëmbime tregtare. Megjithëse Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara po japin ndihma të konsiderueshme ekonomike, shumë projekte po përparojnë me ngadalësi si rrjedhojë e korrupsionit të brendshëm.

//ad//

XS
SM
MD
LG