Lidhje

Powell: Hamasi dhe grupe të tjera ekstremiste palestineze nuk duhet të lejohen të ndalojnë procesin e paqes - 2003-06-20


Sekretari amerikan i shtetit, Colin Powell, thotë se Hamasi dhe grupe të tjera ekstremiste palestineze nuk duhet të lejohen të fitojnë në përpjekjet e tyre për të ndalur procesin e paqes me Izraelin.

Në një konferencë të përbashkët shtypi me kryeministrin izraelit Ariel Sharon pas takimit që zhvilluan sot në Jeruzalem, zoti Powell tha se Hamasi ka treguar se është “armik i paqes”, duke kryer akte terroriste që kur u mbajt takimi i nivelit të lartë për paqen, para dy javësh në Jordani.

Hamasi ka marrë përgjegjësinë për një sulm që shkaktoi sot vrasjen e një shtetasi izraelit dhe plagosjen e tre personave të tjerë, dy prej të cilëve amerikanë në Ramallah të Bregut Perëndimor. Zëdhënësi i Hamasit, Abdel Aziz Rantisi, e quajti Sekretarin Powell “një skllav të zionistëve, një gënjeshtar dhe hipokrit”.

Kryeministri izraelit tha se Autoriteti Palestinez duhet të marrë përgjegjësinë për të ndalur dhunën. Ai shtoi se deri atëherë, Izraeli do të vazhdojë operacionet për të ndalur sulmet ekstremiste kundër Izraelit.

Më pas, Sekretari amerikan i shtetit u takua në qytetin Jericho të Bregut Perëndimor me kryeministrin palestinez, Mahmud Abas. Duke u folur gazetarëve pas takimit, zoti Abas kërkoi që Izraeli të lirojë të burgosurit, të lehtësojë masat për lëvizjen e palestinezëve dhe të ndalë ngritjen e vendbanimeve në Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës.

Zoti Powell tha se i kishte diskutuar disa nga këto çështje me Kryeministrin Sharon dhe u bëri thirrje të dyja palëve që të ndërmarrin ato që ai i quajti hapa të vështirë drejt paqes.

Sekretari i shtetit u kërkoi zyrtarëve që të arrijnë një marrëveshje që Autoriteti Palestinez të marrë përsipër sigurinë në Gazën veriore dhe Betlehem. Ai tha se një marrëveshje e tillë do të ishte “një hap i parë shumë, shumë i rëndësishëm”, drejt paqes.

//ze//

XS
SM
MD
LG