Lidhje

Disa shkencëtarë amerikanë kanë përfunduar deshifrimin e kromozomit Y - 2003-06-20


Teoritë se meshkujt do të zhduken tani mund të hidhen poshtë. Disa shkencëtarë amerikanë kanë zbuluar se materiali gjenetik që përkufizon ndërtimin biologjik të meshkujve, kanë arritur përfundimin se ky sistem është më i qëndrueshëm se ç’mendohej më parë.

Kromozomi mashkullor Y, njëri nga 46 kromozomet që përbëjnë kodin gjenetik të meshkujve është keqinterpretuar për një kohë të gjatë. Sipas disa shkencëtarëve, ky kromozom parashihej të mos kishte jetë të gjatë. Nga 1500 gjene që kishte ky kromozom para 300 milion vitesh, mendohej të ishte shkurtuar në vetëm një apo disa gjene.

Veç kësaj, shkencëtarët mendonin se ky kromozom nuk luante asnjë rol të rëndësishëm në përbërjen biologjike. Ajo që është edhe më dëshpëruse, kromozomi Y është i vetmi që nuk ka një binjak si kromozomet e tjerë, nga i cili do të mund të merrte material gjenetik për të zëvëndsuar materialin e dëmtuar apo të humbur. Bile edhe gratë kanë dy kromozome X që përcillen nga të dy prindërit tek pasardhësit.

Shumë shkencëtarë mendonin se paaftësia e kromozomit Y për t’u riparuar është shkaku kryesor që ka bërë atë të zvoglohet në masën që është sot. Ata ishin të shqetësuar se ky kromozom do të vdiste pas disa miliona vjetësh, duke çuar në zhdukjen e racës njerëzore.

”Si mund të thuhen gjëra të tilla për këtë kromozom të mrekullueshëm, thotë David Pejxh i Institutit Uajthed për Studime Bio-Medicionale në Kembrixh të shtetit Masaçusets."

Zoti Pejxh, i cili flet me optimizëm për fatin e kromozomit Y, ka udhëhequr një grup shkencëtarësh nga disa institucione, të cilët kanë dëshifruar strukturën fizike të këtij kromozomit dhe kanë zbuluar sekrete biologjike që do të shtojnë respektin për të.

”Ne jemi këtu për të mbrojtur nderin e kromozomit Y nga fyerjet gati për një shekull.”

Frencis Kollins i Institutit Kombëtar të Shëndetsisë, i cili ka drejtuar projektin global për të përcaktuar strukturën e të gjitha gjeneve njerëzore, thotë se zbulimet e reja hedhin poshtë mendimin se kromozomi Y është në zhdukje.

”Kjo vazhdimësi vë në pah disa zhvillime të habitëshme dhe të papritura në biologjinë dhe gjenetikën njerëzore, duke shpjeguar kështu se si kromozomi Y arrin t’u shmanget rrjedhave të evoluimit që shumë kishin parashikuar se do të çonin në zhdukjen e tij."

Shkencëtarët kanë zbuluar se kromozomi Y ka 78 gjene. Sipas ekipit të Dr. Pejxh, 60 nga këto gjene janë të angazhuara në prodhimin e spermës. Ai thotë se shumë prej tyre janë të renditura në çifte dhe mund të shkëmbejnë material për qëllime riparuese.

”Në shumë raste kjo ndreq ndryshimet dhe si rrjedhim riparon gjenet. Ne gjetëm në kromozomin Y shumë gjene që prodhojnë spermë dhe gati të gjtha këto jetojnë të thuash si çifte të martuara. Ne mendojme se kjo e furnizon kromozomin me gjene të shëndetshme që janë jetike për shumëzimin njerëzor.”

Nuk ka dyshim se rezultatet e këtyre hulumtimeve do të nxisin një seri stidimesh të reja për të gjetur përgjigjet.

//ze//

XS
SM
MD
LG