Lidhje

Presidenti Klinton nderohet me çmimin "Duart e Shpresës" - 2003-06-20


Presidenti Klinton u nderua të enjten me çmimin Duart e Shpresës nga Këshilli Kombëtar Shqiptaro Amerikan, një organizatë lobiste që mbron çështjet shqiptare në Shtetet e Bashkuara. Duke marrë çmimin presidenti Klinton i bëri thirrje popullit të Kosovës që ta lërë të kaluarën pas, të falë dhe ta hedhë vështrimin nga e ardhmja.

Në ceremoninë e organizuar të enjten në Nju Jork presidenti Klinton shfrytëzoi rastin për t’i bërë një thirrje emocionale popullit të Kosovës për të falur. Kosova, tha ai, duhet të nxjerrë Mandelën e Evropës.

“Askush nuk ka vuajtur dhe nuk është keqtrajtuar më shumë se shqiptarët në shekullin e 20-të dhe deri kohët e fundit ata ishin harruar. Në se jeni të inatosur, është e kuptueshme, se keni të drejtë. Por unë dua që Kosova të nxjerrë Mandelën e Evropës. Unë dua që Kosova të provojë se mund të jetohet së bashku. Të jeni modeli i asaj që duam të ndërtojmë në shekullin e 21. Në këtë jetë, dhe unë kam kaluar vështirësitë e mia, tha presidenti Klinton, barazia nuk vendoset me hakmarrje. Hakmarrja më e mirë është t’i lini gjerat mënjanë, të vazhdoni jetën. Jepuni shpresë fëmijëve që janë brezi i ardhshëm. Mos jetoni me të kaluarën. Drejtësia nuk vendoset kurrë dhe falja nuk arrihet në se viktimat, të dëmtuarit nuk bëhen nismëtarë.”

Këshilli Kombëtar Shqiptaro Amerikan dhe komuniteti shqiptar i Amerikës e nderoi presidentin Klinton për rolin e tij në ndalimin e shtypjes së shqiptarëve në Kosovë. Në një gjest simbolik atij iu dhurua tabela origjinale e rrugës që mban emrin Bill Klinton në Kosovë dhe piktura e një vajze kosovare që shprehte dhimbjen e shqiptarëve gjatë konfliktit. Autori i pikturës dhe vetë vajza ishin të pranishëm në takim.

Gjatë vizitës së tij në Kosovë në vitin 1999 presidenti Klinton u tha shqiptarëve se tani që lufta përfundoi, paqen mund ta fitonin vetëm ata.

“Ne e fituam luftën, por jeni ju ata që duhet të fitoni paqen”, tha presidenti Klinton. Por si e shikon gjendjen sot, ai që shqiptarët e Kosovës e shohin si hero, si shpëtimtarin e tyre?

“Unë ndihem krenar për ato që kanë ndodhur që nga viti 1999. Në Kosovë janë zhvilluar zgjedhje të lira, vendi ka presidentin, kryeministrin dhe institucione demokratike. Ju po bëni shumë përparim, por të gjithë e dini se ka edhe shumë probleme. Një çift i moshuar serb dhe fëmija i tyre u vra në prag të takimit të Bashkimit Evropian në Selanik. Me lejoni t’ju kujtoj se Millosheviçi është larguar dhe atë e rrëzuan vetë serbët. Ne e mundëm në Bosnje dhe Kosovë, por vetë njerëzit e tij e rrëzuan nga pushteti. Sfida më e madhe e shekullit të 21 është të kapërcejmë ndarjet.”

Kosova tha presidenti Klinton duhet të ketë të drejtën të vendosë vetë si të dojë për fatin e saj. Por pas vetëvendosjes shtrohet pyetja se si do të ecë në të ardhmen. Presidenti Klinton foli edhe për vizionin e tij për rajonin e Evropës Juglindore. Sot kur lufta kundër terrorizmit është përparësia kryesore e Amerikës, presidenti Klinton tha se Evropa Juglindore ku jetojnë popuj me fe myslimane e të krishterë, mund të shërbejë si një portë për Lindjen e Mesme, për pajtimin e islamit me fetë e tjera.

“Në se arrini të provoni që islami, ortodoksët dhe katolikët mund të jetojnë përkrah njeri tjetrit, atëhere më së paku, Evropa Juglindore, nga Shqipëria, Kosova, Turqia, përfshirë edhe Greqinë, do të jenë kundër islamizmit radikal, dhe në rastin më të mirë, do të shërbenin si një portë për Lindjen e Mesme, për pajtimin e islamit me fetë e tjera. Ky është vizioni im. Kjo është rëndësia strategjike e rajonit. Por kjo nuk mund të ndodhë në se populli i Kosovës, një nga më të shtypurit e të abuzuarit nuk gjen një mënyrë pajtimi”.

Në takimin vjetor të Këshillit Kombëtar Shqiptaro Amerikan morrën pjesë edhe senatori Bob Dole, një nga përkrahësit më të fortë të shqiptarëve të Kosovës gjatë viteve që ishte në senat. Në takim ai theksoi përsëri se zgjidhjen e Kosovës ai e sheh tek pavarësia.

Këshilli Kombëtar Shqiptaro Amerikan nderoi me çmimin “Arritje Gjatë Jetës”, biznesmenin e njohur shqiptaro-amerikan Xhim Xhema dhe me Çmimin për Shërbim të Lartë, Ilir Zherkën, i cili deri para një viti ishte drejtor ekzekutiv i këtij Këshilli.

Kjo ishte mbrëmja e 7 vjetore që organizon Këshilli Kombëtar Shqiptaro Amerikan dhe siç u shpreh ligjvenësi Eliot Engel, i cili gjithashtu ishte i pranishëm, takimi tregoi se komuniteti shqiptar, me organizatat e tij lobiste, po bëhet më i efektshëm.

XS
SM
MD
LG