Lidhje

Ndërron jetë korrespondenti i Zërit të Amerikës Shefki Morina - 2003-06-20


Sot në Kosovë u zhvillua ceremonia e varrimit të kolegut tonë të paharruar Shefki Morina, i cili u nda prej nesh pas një ataku në zemër. Shefkiu vdiq sot në moshën 47 vjeçare në orët e para të mëngjesit.

Gazetar me përvojë shumë vjeçare Shefkiu e filloi punën në Radio Prishtina, ku punoi deri në vitin 1990. Pas mbylljes së saj ai punoi për mjete të ndryshme të informimit në gjuhën shqipe. Ndërsa që nga viti 1997, ai ka qenë korrespondent i Zërit të Amerikës në Prishtinë.

Shefki Morina shquhej për profesionalizëm në mbulimin e ngjarjeve. Si korrespondent, ai ka punuar shpesh në një mjedis të vështirë, plot të papritura dhe në situata konflikti. Gjithnjë në lëvizje dhe i papërtuar, Shefkiu ka trajtuar temat më shqetësuese dhe më të mprehta në Kosovën e para dhe pas luftës. Me mikrofonin dhe kamerën e tij, ai ka shkuar në shumë qytete dhe fshatra për të folur për hallet e njerëzve, për papunësinë, për të zhvendosurit, ka intervistuar politikanë, ambasadorë dhe gjeneralë.

Shefkiu ka lënë bashkëshorten dhe tre fëmijë, dy vajza dhe një djalë.

Ekipi ynë në Uashington dhe korrespondentët tanë në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni dhe Serbi e Mal të Zi u shprehin ngushëllimet e tyre bashkëshortes dhe fëmijëve si dhe pjestarëve të tjerë të familjes së korrespondentit tonë të paharruar, Shefki Morina.

//ze//

XS
SM
MD
LG