Lidhje

Lufta kundër terrorizmit ndryshon natyrën e konflikteve të armatosura - 2003-06-21


Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq thotë se lufta kundër terrorizmit e ka ndryshuar natyrën e konfliktit të armatosur, duke i bërë më të ndërlikuara dhe më të vështira operacionet humanitare. Në raportin e vitit 2002 të këtij komiteti, përshkruhen aktivitetet në 75 vende të botës, të kësaj organizate me qendër në Zvicër. Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq thotë se ngjarjet e vitit të kaluar tregojnë se konflikti i armatosur sjell gjithnjë e më shumë përplasje etnike, fetare dhe kriminale për pushtet dhe për kontroll mbi burime. Si pasojë, thotë kjo organizatë, detyra për mbrojtjen e civilëve dhe të ndaluarve është bërë më e rëndësishme dhe më e vështirë se kurrë.

Në vitin 2002, delegatët e Kryqit të Kuq vizituan afro 450 mijë të burgosur në 75 vende. Drejtori i Operacioneve i Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, Pierre Krahenbuhl thotë se shumë nga këta persona janë ndaluar në lidhje me luftën kundër terrorizmit.

Zoti Krahebuhl thotë se Kryqi i Kuq do të vazhdojë ta mbajë nën mbikqyrje këtë situatë për të parë nëse kjo është një prirje në rritje. Ai thotë se agjencia është e shqetësuar që shtetet të mos dhunojnë ligjin ndërkombëtar humanitar kur ndalojnë njerëz të dyshuar për terrorizëm.

“Është e qartë se ka vende që kanë përfituar në një farë mënyre nga dinamika e përgjithshme e luftës kundër terrorizmit për të ndaluar njerëz në vendet e tyre për arsye të ndryshme. Për ne është një sfidë e re përpjekja për t’u lejuar që t’i kontaktojmë ata. Në disa vende këto përpjekje kanë qene të suksesshme, ndërsa në disa të tjera ka patur vështirësi”, thotë zoti Krahenbuhl.

Kryqi i Kuq njofton se vitin e kaluar shpenzoi afro 615 milionë dollarë në operacionet në terren në 75 vende.

Këto aktivitete përfshijnë mbrojtjen e civilëve që preken nga konfliktet e armatosura, vizitat tek të burgosurit e luftës dhe të ndaluarit civilë, ndihma mjekësore, uji dhe kushtet higjenike dhe shpërndarja e ndihmës humanitare, përfshirë ushqimin për miliona njerëz që kanë nevojë për të.//kk//

XS
SM
MD
LG