Lidhje

OSBE përshëndeti reformën zgjedhore - 2003-06-21


OSBE përshëndeti të shtunën reformën zgjedhore të ndërmarrë nga parlamenti i Shqipërisë, i cili miratoi me shumicë dërrmuese votash amendamentet e Kodit të Zgjedhjeve.

Kryetari i Pranisë së OSBE-së në Tiranë, Ambasadori Osmo Liponen, vlerësoi zyrtarisht se miratimi i amendamenteve të Kodit Zgjedhor nga Parlamenti është “një hap i madh përpara për demokracinë parlamentare dhe jetën politike të Shqipëris”.

Ai deklaroi se miratimi me konsensus i amendamenteve të Kodit “tregoi edhe një herë vullnetin politik të Shqipërisë për të përmbushur standartet dhe kërkesat e Bashkimit Europian për integrim”. Zoti Liponen gjithashtu vlerësoi mirëkuptimin mes partive politike për këtë çështje, komisionin dypalësh dhe dy bashkëkryetarët socialistë e demokratë të tij.

Ndërkaq, një atmosferë krejt e ndryshme mbizotëron në zyrat e partive të vogla, të cilat i shohin amendamentet e reja si një goditje e hapur e interesave të tyre. Ata po vazhdojnë prej dy ditësh me reagime protestuese ndaj votimit të tyre vetëm me mirëkuptimin mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike të opozitës.

Përfaqësues të këtyre partive pohojnë se po përgatiten të reagojnë me të gjitha mënyrat, si duke i kërkuar Presidentit të mos i dekretojë amendamentet, ashtu edhe duke u ankuar në Gjykatën Kushtetuese. Disa politikanë të partive të vogla janë shprehur se kjo ngjarje do të pakësojë bashkëpunimin e tyre me dy partitë e mëdha gjatë zgjedhjeve të vjeshtës për pushtetin vendor. Deputetët e tyre kundërshtuan për afro shtatë orë në seancën parlamentare të së enjtes duke shpjeguar, sipas tyre, ”shkeljet proceduriale” që ishin kryer, derisa në orët e vona të mbrëmjes deputetët e PS dhe PD bashkuan votat për të miratuar me vendosmëri mbi 60 nene të reja të Kodit Zgjedhor.

Reforma zgjedhore në Shqipëri iu kërkua me këmbëngulje autoriteteve shqiptare pas parregullsive që u shënuan në zgjedhjet e fundit. Ajo është edhe një ndër katër kushtet që BE i ka venë Shqipërisë për integrim, krahas luftës kundër trafiqeve, krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Me ndërmjetësimin e OSBE-së, pozita dhe opozita ngritën një komision dypalësh që përgatiti me mirëkuptim për afro një vit amendamentet e Kodit Zgjedhor. Në përgatitjen e reformës zgjedhore ekspertët shqiptarë dhe ata të OSBE-së u bazuan kryesisht në rekomandimet e raportit kritik të vëzhguesve ndërkombëtarë për zgjedhjet e kaluara parlamentare. //az//

XS
SM
MD
LG