Lidhje

Kalendari historik, 23 qershor - 2003-06-23


Më 23 qershor të vitit 1947, Senati i Shteteve të Bashkuara rrëzoi veton e presidentit Harri Truman dhe miratoi në ligj Aktin Taft-Hartli. Dhoma e Përfaqësuesve e kishte rrëzuar më parë veton e presidentit.

Kongresi i dominuar nga republikanët miratoi aktin Taft-Hartli për të pakësuar ndjeshëm fitoret e sindikatave punëtore të arritura gjatë presidencës së demokratit Franklin Ruzvelt.

Në bazë të dispozitave të këtij akti shfuqizoheshin rregullat për anëtarësinë e detyruar të punonjësve në disa kompani. Po në bazë të këtij ligji, presidenti do të kishte kompetencën të pezullonte grevat për 60 ditë, në qoftë se ato gjykoheshin se kërcënonin sigurinë kombëtare apo shëndetin.

Presidenti demokrat, Harri Truman, i kishte vënë veton këtij akti, duke thënë se ai do të shtonte, në vend që të paksonte grevat dhe do të dobësonte unitetin kombëtar.

Më 23 qershor të vitit 1787, delegatët e Kuvendit kushtetues në Filadelfia votuan njëzëri për t’i vënë emrin vendit të ri Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky emër ishte përdorur në Deklaratën e Pavarësisë në vitin 1776, por në kushtetutën e parë të vendit, që njihet si Artikujt e Konfederatës, emri i vendit ishte Shtetet e Bashkuara të Amerikës së Veriut.

Në Kuvendin e Filadelfias, delegati nga Connecticut-i, Oliver Ellsworth, i bindi me sukses delegatët e tjerë që vendit të ri t’i vihej emri Shtetet e Bashkuara të Amerikës, emër të cilin ai mban edhe sot.// lk //

XS
SM
MD
LG