Lidhje

Izraelitët dhe palestinezët zhvillojnë bisedime për sigurinë - 2003-06-23


Shefat e sigurisë izraelitë dhe palestinezë po takohen për të diskutuar mbi transferimin e përgjegjësisë për çështjet e sigurisë tek palestinezët në disa pjesë të territoreve të pushtuara. Gjenerali izraelit Amos Xhilad dhe shefi palestinez i sigurisë Mohamed Dahlan po kryesojnë takimin që po mbahet sot në postbllokun e Erezit, në kufirin e Izraelit me Gazën.

Bëhet fjalë për tërheqjen e trupave izraelite nga Gaza, por vetëm nëse palestinezët mund të garantojnë sigurinë. Gjenerali izraelit Xhilad ka thënë se vendi i tij nuk kërkon një ndalim të përkohshëm zjarri me ekstremistët palestinezë, por që ti jepet fund plotësisht terrorit.

Kryeministri palestinez, Mahmud Abaz, është përpjekur të bindë Hamasin dhe grupe të tjera të deklarojnë armëpushimin me Izraelin. Hamasi nuk i ka dhënë përgjigje ende zotit Abas, duke përmendur vrasjen e vazhdueshme të udhëheqësve të Hamasit nga ana e Izraelit, por një përgjigje pritet të jepet së shpejti, ndoshta që sot.

Zyrtarë palestinezë fajësojnë Izraelin për vrasjen e 4 anëtarëve të grupit Brigatat Martire Al-Aksa në Gazë, duke thënë se ata ishin vrarë nga një predhë izraelite tankesh.

Izraeli e ka hedhur poshtë këtë pohim, duke thënë se asnjë tank izraelit nuk ishte në atë zonë dhe se ekstremistët mund të ishin vrarë kur lëndët plasëse që ata po përgatisnin për një sulm, kishin shpërthyer para kohe. Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë njoftoi sot se Këshilltarja për Sigurinë Kombëtare, Kondoleza Rajs do të shkojë këtë javë në Lindjen e Mesme.// lk //

XS
SM
MD
LG