Lidhje

Greqia ndalon një anije me lëndë plasëse - 2003-06-23


Një zyrtar i lartë grek tha se anija që u ndalua dje në ujërat territoriale të vendit të tij, ishte e mbushur me lëndë plasëse me forcë të barabartë shpërthimi me atë të një bombe bërthamore. Zyrtari grek tha se anija po udhëtonte për në Sudan.

Ministri grek i Marinës Tregëtare, Georges Anomeritis, tha se sipas listës së mallrave të anijes, ngarkesa po i dërgohej një firme në Sudan. Mirëpo, ai thotë se rezultatet fillestare të hetimeve tregojnë se numri i postës i regjistruar si adresa e kompanisë në Khartum, nuk ekziston.

Ministri grek tha se autoritetet janë të sigurt që 680 tonelata lëndë plasëse ishin ngarkuar në anije në Tunizi muajin e kaluar. Por, ai thekson se askush nuk i di vendmbërritjen, apo planet për përdorimin e lëndës plasëse.

Shtetet e Bashkuara e kanë përfshirë Sudanin në listën e shteteve që mbështesin terrorizmin.

Zoti Anomeriris tha se autoritetet greke kanë arrestuar anëtarët e ekuipazhit, 5 ukrainas dhe dy azerbaxhanas, se nuk kishin njoftuar 24 orë më parë, siç kërkohet me ligj, për hyrjen e anijes me ngarkesë të rrezikshme në ujërat territoriale të Greqisë. Kundër tyre është ngritur padi nën akuzat për zotërim e transportim të paligjshëm të lëndëve plasëse. Zyrtarë të policisë thonë se ngarkesa përmbante detonatorë dhe lëndë plasëse, me bazë prej nitrati amoni.

Anija "Qielli Balltik", e cila udhëtonte me flamurin e ishullit-shtet Komoros në Oqeanin Indian, është pronë e një kompanie të regjistruar në ishujt Marshall të Paqesorit Jugor.

Forcat e policisë speciale të Greqisë e ndalën anijen në ujërat territoriale greke të Detit Jon, pasi morën një njoftim për ngarkesën e dyshimtë. Më pas, ato e shoqëruan anijen për në një port në veriperëndim të Athinës, për insepktime të mëtejshme.// lk //

XS
SM
MD
LG