Lidhje

E ardhmja e Serbisë dhe Malit të Zi - 2003-06-23


Serbët duket se po humbasin durimin me federatën e re me Malin e Zi. Si politikanë edhe njerëz të thjeshtë thonë se sa më shumë që merr qeveria e Malit të Zi, aq më shumë kërkon. Njerëzit madje qeshin me emrin e ri të vendit të tyre Serbia dhe Mali i Zi si dhe me patentat e reja të makinave që kanë inicialet e të dy ish republikave. Shumë njerëz janë nostalgjikë për inicialet YU të ish-Jugosllavisë.

Por më seriozisht, pas 6 vjetësh pothuajse në pavarësi të Malit të Zi, dhe përdorimit të euros si monedhë, po shtohen gjithnjë e më shumë dyshimet se dy njësitë mund të riintegrohen ekonomikisht, ashtu siç kërkohet nga marrëveshja e arritur me ndërmjetësinë e Bashkimit Evropian.

Ekonomisti Milko Stimaç është president i Institutit G-17, një nga institutet kryesore që nxit reformat e ekonomisë së tregut. Federata e re, thotë ai, nuk mund të ketë sukses.

“Federata nuk ka të ardhme. Sa më shpejt të shpërbëhet, aq më mirë do të jetë, si për Serbinë, edhe për Malin e Zi.”-thotë zoti Stimaç.

Zoti Stimaç përmend si argument vonesën e Malit të Zi për zbatimin e reformave dhe korrupsionin, që siç thotë ai, është edhe më i përhapur se në Serbi.

Në Federatë, shton ai, Serbia është më e humbura, pasi Mali i Zi nuk paguan taksa për shtetin e ri. Megjithëse popullsia e Malit të Zi është sa 10 përqind e asaj të Serbisë, ky vend kërkon që zyrtarët e tij të kenë gjysmën e posteve kryesore të federatës në politikën e jashtme.

Por pengesa më e madhe thotë zoti Stimaç, është vështirësia për atë që ai e quan “harmonizimi ekonomik”, ku Mali i Zi kërkon tarifa të ulta të brendshme, ndërsa Serbia kërkon tarifa të larta për të mbrojtur industrinë dhe bujqit e vet.

“Ne kemi nevojë për një shtet funksionues, në mënyrë që të kemi një treg normal, pa pengesa, pa tarifa të larta doganore mes dy njësive të federatës dhe pa shpenzime të padrejta për njerën prej njësive.”-- thotë Stimaç.

Edhe Bashkimi Evropian, i cili praktikisht hartoi marrëveshjen për federatën, është tani shumë më pak entuziast se sa një vit më parë. Një diplomat holandez i cili ndihmoi për marrëveshjen, Vilem Blankert, nuk është më i bindur se monedha euro është e mirë për Malin e Zi.

“Ekonomikisht duket se ajo është bërë një problem i madh. Meqë çmimet janë në euro, dhe meqë ata kanë patur një shkallë inflacioni prej 10 përqindësh këtë vit, 10 përqind vitin e kalaur dhe 25 përqind një vit para tij, çmimet janë ngritur 45 përqind. Dhe Mali i Zi nuk mund të shpëtojë dot duke përdorur mekanizmin e zhvlerësimit të monedhës. Pra është e vështirë të shihet se si mund të mbijetojnë ata ekonomikisht në një situatë të tillë.”-thotë Blankert.

Ekonomia e Malit të Zi varet tërësisht nga eksporti i aluminit, turizmi dhe ndihmat e huaja. Deficiti tregëtar është i lartë dhe vazhdon të rritet, gjë që mund të destabilizojë gjithë ekonominë.

Privatisht, diplomatët e pranojnë se marrëveshja për federatën e Serbisë dhe Malit të Zi, ishte në radhë të parë një përpjekje për të blerë kohë, për të shmangur fragmentizimin e mëtejshëm të ish Jugosllavisë. Bashkimi Evropian ishte i shqetësuar se pavarësia e Malit të Zi do të krijonte një trysni të papërmbajtshme për pavarësinë e Kosovës, gjë që serbia e kundërshton me forcë.

Por në Beograd, shumë njerëz flasin për modelin e Çekosllovakisë, një ndarje paqësore të Malit të Zi dhe Serbisë, ashtu si ndodhi me ndarjen e Çekisë dhe Sllovakisë në vitin 1993.// lk //

XS
SM
MD
LG