Lidhje

Gjykata e Lartë e  SHBA merr vendim pro ligjit që favorizon pakicat për pranimin në Universitet - 2003-06-23


Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara thotë se universitetet mund ta marrin në konsideratë racën, si faktor kur pranojnë studentët, por nuk mund ta bëjnë këtë thjesht me sistem llogaritjesh në politikat e favorizimit të pakicave. Gjykata, megjithatë i paralajmëroi universitetet të mos nisen vetëm nga faktori i racës kur të marrin vendim për pranimin e studentëve.

Gjykata mori sot vendimet për dy raste të studentëve të Universitetit të Miçiganit, që përbënin sfidat e para të forta që prej 25 vjetësh ndaj ligjit për favorizimin e pakicave. Nëntë anëtarët e Gjykatës së Lartë votuan pesë pro dhe katër kundër vendimit për favorizimin e racave.

Në lidhje me preferencën e racave kur është fjala për pranimin e studentëve në univeristet, ka mendime të ndryshme.

Përkrahësit e këtij vendimi thonë se favorizimi i pakicave ndikon pozitivisht në intergimin e arsimit të lartë në Shtetet e Bashkuara.

Ndërkohë, kritikët thonë se kjo politikë nga njëra anë diskriminon studentët e bardhë dhe nga ana tjetër, ajo i ngjan një kuote pro-raciale, duke theksuar së tepërmi faktorin e racës kur studentët aplikojnë për t'u pranuar në universitet. Ja si shprehet një nga kritikët e këtij vendimi, Xherald Uolpin, i Qendrës për të Drejtat e Individit në Nju Jork:

"Mendoj se vendimi i sotëm i Gjykatës së Lartë, fatkeqësisht hodhi poshtë ëndërrën e Martin Luter Kingut, për një shoqëri pa dallime raciale dhe ai bie ndesh me garancinë që na ofron kushtetuta, për trajtimin e njëjtë të të gjithë qytetarëve, pa dallim racor.-thotë zoti Uolpin.

Administrata e Presidentit Bush është shprehur kundër politikës së Universitetit të Miçiganit për favorizimin e pakicave, ndërsa mbrojtësit e të drejtave civile e ngritën zërin në mbështetje të tyre. Këto raste prekin drejtpërdrejt universitetet publike, por vendimet e gjykatës ka mundësi të ndikojnë edhe tek institucionet private dhe bizneset.// lk //

XS
SM
MD
LG