Lidhje

Dr. Bujar Bukoshi: Jam për fillimin e normalizimit të raporteve Beograd - Prishtinë - 2003-06-23


Ish kryeministri i qeverisë në mërgim të Kosovës, Bujar Bukoshi, ishte një prej politikanëve nga Kosova që morën pjesë ditën e enjte në takimin e komunitetit shqiptar të Amerikës me ish presidentin Bill Klinton. Sot ai drejton Partinë e Re të Kosovës. Zotin Bukoshi dha sot një intrevistë për Zërin e Amerikës:

Zëri i Amerikës: Zoti Bukoshi, ju para luftës vinit shpeshherë në Washington, ku kërkonit ndërhyrjen e Shteteve të Bashkuara dhe të komunitetit ndërkombëtar për t’i dhënë fund represionit serb të shqiptarëve në Kosovë. Me sa di unë, kjo është vizita juaj e parë pas luftës këtu në Washington. Çfarë pështypjesh keni nga kjo vizitë?

Dr. Bujar Bukoshi: Së pari më lejoni t’ju shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për humbjen e bashkëpunëtorit tuaj Shefki Morina, vdekje që na ka befasuar të gjtihëve ne. Për sa i përket ardhjes sime këtu, për mua është këmaqësi e veçantë, sepse për herë të parë pas aq shumë vitesh vij si me thënë, i relaksuar këtu; përpara vija shumë i shtanguar për të prezantuar çështjen e Kosovës, për të luftuar për të drejtat e shqiptarëve etj, etj. Ajo tashmë është e kaluar, jemi në një fazë plotësisht tjetër, një kostelacion tjetër, një situatë shumë e kënaqshme, por unë them gjithmonë që kemi kaluar gjysmën e rrugës. Ta shohin si do ta kalojmë gjysmën tjetër të rrugës.

Zëri i Amerikës: Zoti Bukoshi, siç thamë në hyrje, ju ishit të pranishëm në takimin që u zhvillua me Presidentin Klinton në New York dhe kemi edhe disa fotografi nga takimi juaj dhe i bashkëshortes tuaj me Presidentin Clinton. Tema kryesore e fjalimit të Presidentit ishte mundësia e pajtimit midis shqiptarëve dhe serbëve. Presidenti Klinton tha:

Unë mbështes vetëvendosjen për popullin e Kosovës dhe atij duhet t’i njihet e drejta të vendosë vetë për të ardhmen dhe nëse populli kërkon pavarësinë, kjo e drejtë duhet të njihet. Por nëse doni shtetin tuaj, ju duhet të doni një shtet që ta meritojë, ju duhet të falni.

Zëri i Amerikës: Zoti Bukoshi, a e pranojnë shqiptarët mesazhin e Presidentit Clinton për mundësinë e pajtimit me serbët?

Dr. Bujar Bukoshi: Po përgjithësisht, shqiptarët e pranojnë këtë mesazh në parim, edhe politika aktuale e Kosovës e pranon këtë mesazh. Gjithshka që është në funksion të progresit, që punët të ecin përpara, do të pranohet me kënaqësi. Nga ana tjetër, më duhet të them menjëherë, se gjenocidi nuk harrohet lehtë, është shumë vështirë të harrohet gjenocidi. Ju e përmendët vetëm shkurtimisht, ju përkujtoj situatën mes hebrejve dhe nazizmit gjerman. Ne do të përshëndesnim çdo lëvizje nga të dy palët po them, por edhe nga Beogradi, sidomos nëse heqet dorë nga pozicioni obstruksionist i politikës aktuale të Beogradit. Unë me keqardhje, me pikëllim e them se pak ka ndryshuar retorika e Beogradit edhe pas Millosheviçit. Me fjalë të tjera, shumë shkurt, pajtim po, me harru asnjëherë jo, ka ende domethënë hesape, ka me u pagu fatura nga ana e Beogradit, dëmshpërblime të tjera, por tani që ne jemi shpejt, shumë shpejt, si dy shtete shumë të barabarta dhe sovrane të bisedojmë për normalizimin e raporteve Beograd Prishtinë.

Zëri i Amerikës: Zoti Bukoshi, Presidenti e kishte fjalën që shqiptarët t’i falin serbët, jo që t’i harrojnë krimet që kanë kryer serbët ose qeveritarët serbë në Kosovë.

Dr. Bujar Bukoshi: Edhe nga të gjithë pothuajse civilët serbë në Kosovë, e kanë vendin në Kosovë, janë të mirseardhur, le të kthehen të gjithë ata që dëshirojnë të vijnë, nuk flas këtu për ekstremistë dhe kriminelë, me të cilët do të merret gjyqi, nuk është puna jonë. Por ne e përceptojmë Kosovën jo vetëm si pronë, si të thuash pronë private ekzkluzivisht e shqiptarëve, por e gjithë atyre njerëzve, edhe të serbëve edhe të pakicave të tjera, që të jetojnë aty dhe të marrin pjesë në organet e jashtme. T’ju përkujtoj se aty ka probleme ende për shkak të manipulimit, fatkeqësisht të manipulimit nga ana e Beogradit me fatin e serbëve civilë.

Zëri i Amerikës: Doktor Bukoshi, në përfundim të takimit të nivelit të lartë të Bashkimit Europian në Selanik, u tha se bisedimet midis shqiptarëve dhe serbëve për çështje teknike mund të fillojnë muajin e ardhshëm. Sot, dëgjuam nga Prishtina se ka të ngjarë që këto bisedime të mos zhvillohen muajin që vjen, por diku nga vjeshta. Sa të përgatitur janë shqiptarët për bisedime të tilla? A ka Prishtina një strategji të qartë për këto bisedime?

Dr. Bujar Bukoshi: Une mendoj se shqiptarët në përgjithësi janë të përgatitur, por gjithmonë ka mundësi të bëhen vërejtje. Edhe unë i takoj shpesh atyre njerëzve që shpeshherë bëj vërejtje ndoshta, edhe më të ashpra, me të drejtë, për shkak se konsideroj se natyrisht, klasa politike kosovare, përfshirë edhe partinë time të re, nuk është në nivelin e duhur, por prapë se prapë, strategjia e shqiptarëve dhe Kosovës është sqaruar qysh në vitin 1991 me referendum, do me thënë në strategjinë kryesore do ta kemi vullnetin politik të shqiptarëve, se si çdo popull, edhe shqiptarët do ta kenë të drejtën të vendosin për fatin e tyre politik. Tjetër janë aspektet teknike. Unë mendoj personalisht se sa ma shpejt që të fillojnë këto bisedime, aq më mirë do të jetë për të dy palët dhe unë jam për fillimin e normalizimit të raporteve Beograd - Prishtinë. Mesazhet e shqiptarëve janë të qarta. Edhe në të kaluarën kemi qënë një faktor shumë kooperativ, kemi bashkëpunuar me bashkësinë ndërkombëtare, por ju them sot këtu se është iluzore, është naive, politikisht e gabuar, që të ushqehen ato iluzione për ndonjë kthim eventual të Kosovës nën juridiksionin serb dhe është iluzore, nëse përdoret demagogjia nga politikanët kosovarë për këto bisedime. Duhet të ulemi sinqerisht dhe të bisedojmë për çështje të cilat na presin. Është në interesin tonë.// lk //

XS
SM
MD
LG