Lidhje

Maqedonia do ta miratojë marrëveshjen me SHBA për imunitet të shtetasve amerikanë për ndjekje penale nga gjykata ndërkombëtare - 2003-06-24


Burime qeveritare dhe brenda partisë shqiptare në qeveri Bashkimi Demokratik për Integrim thonë se ka gjasa që qeveria në mbledhjen e nesërme ta miratojë marrëveshjen me SHBA për përjashtimin e shtetasve amerikanë nga ndjekja penale e Gjykatës Ndërkombëtare për krime lufte. Maqedonia deri tash ka ngurruar ta miratrojë marrëveshjen për shkak të udhëzimeve nga Bashkimi Evropian ku synon anëtarësimin kjo republikë e vogël ish-jugosllave. Qeveri e Maqedonisë, sipas burimeve brenda saj, do ta nënshkruajë marrëveshjen me SHBA për lënien e ushtarëve dhe shtetasve amerikanë jashta juridiksionit të Gjykatës Ndërkombëtare për krime lufte. Sipas disa burimeve, qeveria duhej ta miratonte vendimin qysh në mbledhjen e sotme në mënyrë që të ruhet afati i 1 korrikut i paraparë me ligjin amerikan. Por, takimi i qeverisë u shtye për nesër.

Nga ana tjetër, zërat se presidenti Boris Trajkovski jozyrtarisht e ka bërë me dije presidentit George Bush se ai vetë e përkrahë marrëveshjen por se i takon qeverisë të vendosë mbi këtë, nuk mundi t’i konfirmojë sot Kabineti i presidentit maqedonas.

Partitë politike qeveritare thonë se do të veprojnë në bazë të interesave shtetërore, ndërkohë që ekspertë të çështjeve ligjore e kanë këshilluar qeverinë se nuk ekziston asnjë pengesë juridike për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje. Zyrtarë të partisë BDI të zotit Ali Ahmeti thonë se shqiptarët i konsiderojnë për aleatë dhe mike ShBA-të dhe se partia fuqimisht e mbështetë marrëveshjen megjithëse vendimi nuk është bërë publik.

Ka gjasa që në takimin e nesërm Qeveria të marrë një vendim pozitiv ndaj kërkesës amerikane.

Në një zhvillim tjetër, Parlamenti i Maqedonisë po debaton në lidhje me ndryshimet kushtetuese, përkatësisht për një projekt-ligj që do të lejonte përgjimin e personave juridik dhe fizik. Ligji ka gjasa që të miratohet meqë edhe opzoita e drejtuar nga VMRO-DPMNE ka paralajmëruar se do të votojë për miratimin e ligjit.

VMRO e bllokoi miratimin e këtij ligji në një prej seancave të kaluara të Parlamentit. Megjithatë, ka nga ana tjetër, pakënaqësi sidomos në opinionin publik se përgjimi është një ndërhyrje në jetën private të njerëzve. Përveç përgjimit të telefonave, ligji nëse miratohet lejon edhe kontrollin dhe hapjen e letrave dhe mjeteve tjera të komunikimit. //ss//

XS
SM
MD
LG