Lidhje

Kalendari historik, 24 qershor - 2003-06-25


Më 24 qershor 1970, Senati i Shteteve të Bashkuara filloi debatin përfundimtar për shfuqizimin e Rezolutës së Gjirit të Tonkinit.

Kongresi e kishte miratuar rezolutën në gusht të vitit 1964, me kërkesë të presidentit Lyndon Johnson. Rezoluta ishte miratuar pas një sulmi, që dyshohej të ishte kryer nga luftanije të vogla të Vietnamit të Veriut në Gjirin e Tonkinit, kundër dy kryqëzorëve amerikanë. Duke mos dashur të shpallë luftë, presidenti Johnson kërkoi që rezoluta t’i jepte atij autoritetin e duhur për t’iu kundërpërgjigjur sulmeve.

Presidentët Lyndon Johnson dhe Richard Nixon e përdorën Rezolutën e Gjirit të Tonkinit, si autoritetin e tyre ligjor për të vazhduar ndërhyrjen e Shteteve të Bashkuara në Vietnam.

Më 30 qershor 1970, Senati e përfshiu shfuqizimin e Rezolutës së Gjirit të Tonkinit në Amendamentin Kuper-Çërç, i cili kufizonte ndërhyrjen ushtarake amerikane në Kamboxhia.

Më 24 qershor 1948 forcat sovjetike të pushtimit në Gjermaninë Lindore, vendosën një bllokadë tokësore dhe ujore përreth Berlinit Perëndimor. Lejohej vetëm trafiku ajror që duhet të kalonte nëpër disa korridore të posaçme.

Bllokada e Berlinit u pa si hapi i fundit i Bashkimit Sovjetik në përpjekjet për t’i detyruar Shtetet e Bashkuara, Francën dhe Anglinë, që të bënin lëshime ekonomike lidhur me Berlinin Lindor. Përkundrazi, më 26 qershor, forcat ajrore të Shteteve të Bashkuara, duke përdorur një aerodrom të vogël në Berlinin Perëndimor, filluan furnizimin e qytetit me rrugë ajrore.

Duke përdorur aeroplanë transporti si një urë ajrore, Shtetet e Bashkuara filluan të transportojnë çdo ditë 80 tonë ushqime, pajisje mjekësore dhe qymyrguri në qytetin e izoluar.

Nga mesi i korrikut, aeroplanë më të mëdhenj mallrash filluan të transportojnë çdo ditë 1 mijë e 500 tonë furnizime. Duke fluturuar në kushte atmosferike nga më të ndryshmet, aeroplanë të forcave ajrore amerikane, franceze dhe britanike, transportuan furnizime të mjaftueshme për të përballuar nevojat e qytetit gjatë 321 ditëve që zgjati bllokada e Berlinit.

Duke parë se plani për izolimin e qytetit dështoi, më 12 maj 1949 Bashkimi Sovjetik e hoqi bllokadën e Berlinit.// lk //

XS
SM
MD
LG