Lidhje

Fraksionet palestineze mohojnë arritjen e një marrëveshjeje për armëpushim - 2003-06-25


Grupet ekstremiste palestineze hodhën poshtë njoftimet se kanë arritur një marrëveshje armëpushimi me Izraelin, dhe thonë se sulmet e djeshme nga ky i fundit e bëjnë një marrëveshje të tillë edhe më pak të mundëshme.

Zyrtarët e grupit Hamas thanë se organizata e tyre, së bashku me Xhihadin Islamik dhe atë Fatah po diskutojnë mundësinë e armëpushimit me zyrtarët palestinezë, por nuk kanë arritur ende ndonjë marrëveshje.. Grupi Hamas thotë se sulmet më të fundit izraelite nuk i shërbejnë paqes.

Krahu ushtarak i grupit Hamas u zotua se do të hakmerret për sulmet. Trupat izraelite vranë dy ekstremistë të Hamasit në Rripin e Gazës disa orë para se dy palestinezë u vranë nga sulmet e helikopterëve izraelitë. Izraeli thotë se këto sulme ajrore kishin si objektiv ekstremistë të grupit Hamas, të cilët ishin gati të qëllonin me predha një vendbanim hebraik në Gaza.

Në përgjigje të njoftimeve të mëparëshme se ishe arritur një marrëveshje armëpushimi, Presidenti Bush tha se do ta besonte atë kur ta shikonte në realitet. Zoti Bush shtoi se grupet si Hamasi duhet të shpërbëhen plotësisht, në mënyrë që të arrihet vendosja e paqes.

Në një tjetër shpërthim dhune, forcat izraelite të sigurimit thanë se parandaluan një shpërthim të mundëshëm vetvrasës, duke arrestuar dy palestinezë në afërsi të Bregut Perëndimor, të cilët mbanin një mjet të fuqishëm shpërthyes.//ic//

XS
SM
MD
LG