Lidhje

Korrupsioni në Ballkan zmbraps investitorët - 2003-06-25


Korrupsioni i përhapur kryesisht në formën e ryshfeteve, vazhdon të dëmtojë investimet e drejtpërdrejta në Ballkan. Pronësia e paqartë mbi ndërmarrjet dhe sistemi gjyqësor i korruptuar janë gjithashtu pengesa për investimet.

Pas rënies së Sllobodan Millosheviçit para gati tre vjetësh, Serbia filloi të bëhet përsëri pjesë e ekonomisë botërore dhe në atë kohë, në Beograd kishte mungesa hotelesh cilësore. Interkontinental, një shumëkatësh luksoz në periferi, i cili ishte ngritur në vitin 1979 për zhvillimin e takimit të përvitshëm të Fondit Monetar Ndërkombëtar, është një ndërtesë me shumë vlerë.

Megjithë mungesën e investimeve gjatë viteve ’90, hoteli vazhdon të ketë një personel tepër të kualifikuar dhe vendi ku ndodhet është majft i volitshëm prandaj ka tërhequr interesimin e investuesve të huaj.

Gjatë muajve të fundit, përfaqësues të rrjeteve hoteliere botërore kanë shkuar në Beograd në përgjigje të një oferte për të blerë Interkontinentalin.

Por ekonomisti Millko Stimaç thotë se investuesit e mundshëm janë larguar kur kanë parë llogaritë e kompanisë. Drejtuesit, thotë ai, e kanë ndarë kompaninë më dysh dhe e kanë zhytur Interkontinentalin në borxhe.

“Pjesa më e madhe e kësaj ndërmarrjeje të re përbëhej nga hoteli Interkontinental, të cilit iu morën fondet dhe tani ai është i mbytur në borxhe”, thotë ekonomisti.

Struktura dhe pronësia e hotelit janë gjithashtu në diskutim dhe po shqyrtohen tani nga gjykatat serbe të cilat ende nuk janë reformuar.

Megjithëse frekuentimi i hotelit është rritur mjaft krahasuar me dy vjet më parë, shumë punonjës të tij besojnë se pronarët aktualë nuk dëshërojnë partnerë të huaj. Shumë njerëz shqetësohen se gjykatat do ta lenë hotelin në duart e pronarëve të tanishëm ndonëse pronësia e tij nuk është aspak e qartë.

Rory O’Sullivan, përfaqësues i Bankës Botërore në Beograd, thotë se reformat gjyqësore dhe krijimi i një ligji ekonomik të zbatueshëm, janë nevojat më jetike për një Serbi demokratike.

“Gjykatat nuk funksionojnë si duhet dhe kjo dëmton besimin e investitorëve të huaj. Mendoj se shumë njerëz në Evropë presin dhe shpresojnë që qeveria serbe dhe vetë serbët ta marrin seriozisht çështjen e reformës së sistemit gjyqësor”, thotë përfaqësuesi i Bankës Botërore në Beograd.

Reforma gjyqësore, thotë ai, është një faktor thelbësor në luftën e Serbisë kundër korrupsionit. Dhe këtu nuk është fjala thjesht për të ardhmen e Hotel Interkontinentalit. Pa një reformë gjyqësore, thotë zyrtari i bankës Botërore, Serbia nuk ka shanse të anëtarësohet në Bashkimin Evropian. //kk//

XS
SM
MD
LG