Lidhje

Shqipëri: Prokuroria e Fierit nisi sekuestrimin e pronave të  kriminelëve ndërkombëtar - 2003-06-25


Prokuroria e Fierit nisi një akcion për sekuestrimin e pronave të personave të përfshirë në aktivitete kriminale ndërkombëtare.Vendimet vijnë pas kërkesave të prokurorisë së Belgjikës pasi personat janë të përfshirë në trafikun e prostitucionit.

Prokuroria e Fierit është e para në Shqipëri që nisi të ndërmarrë sekuestrimin e pronave të personave të përfshirë në aktivitete kriminale ndërkombëtare.

Sipas burimeve zyrtare disa prona të katër personave banorë në këtij qyteti të cilët janë akuzuar nga Prokuroria e Belgjikës për trafik dhe shfrytëzim prostitucioni janë sekuestruar sot nga organet e drejtësisë në Fier. Një zyrtar i këtij organi i tha Zërit të Amerikës se pronat përfshijnë disa ndërtime në një vlerë prej disa qindra mijë dollarë të bëra në qytetin e Fierit dhe në atë të Patosit. Vendimet vijnë pas një procesi hetimor të kryer nga hetuesit belgë në Shqipëri.

Praktikat e sekuestrimit sipas juristëve shqiptarë janë të bazuara në ligjin shqiptar. Mbi bazë të dispozitave ligjore përfitimet i merr shteti. Pak kohë më parë po në Fier, organet e drejtësisë janë përfshirë në një proces hetimor për prona që dyshohen se janë ngritur me para të trafiqeve të drogës.

Fieri është qyteti më problematik në Shqipëri ku po hetohen disa aktivitete kriminale të cilat kanë zbardhur sipas Prokurorëve të këtij rrethi paratë në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme. Bashkëpunimi i organeve të drejtësisë shqiptare me disa vende si Italinë,Zvicrën, Belgjikën dhe Gjermaninë po nis të zbardhë disa nga këto aktivitete kriminale, - thonë zyrtarët e Prokurorisë së Fierit.

Por sipas juristëve shqiptarë- Qeveria Shqiptare duhet të hedhë hapa përpara në plotësimin e kuadrit ligjor për ndëshkimin e rrjeteve të krimit të organizuar.

Një nga problemet më të mëdha për Prokurorët dhe Gjykatësit mbetet mbrotja e dëshmimtarëve në këto procese. Ata mbeten gjithnjë të rrezikuar pas dëshmive të tyre. Po kështu për trafikun e prostitucionit , juristët shqiptarë po kërkojnë masa më të forta për mbrojtjen e femrave që i largohen trafikut dhe denoncojnë shfrytëzuesit e tyre. Në Vlorë është ngritur një qendër e rehabilitimit te femrave të shfrytëzuara për qëllime prostitucioni, por kjo shihet si një nga hapat e parë të trajtimit të një prej problemeve më të mprehta të shoqërisë shqiptare. //ss//

XS
SM
MD
LG