Lidhje

Kompanitë e ushqimeve të modifikuara gjenetikisht humbin blerësit  evropianë - 2003-06-25


Duke qenë konsumatori më i madh i prodhimeve të modifikuara gjenetikisht, Shtetet e Bashkuara dallojnë nga shumë vende të cilat e shohin përdorimin e këtyre lloj ushqimeve si të dëmshëm.

Bashkimi Evropian e ka ndaluar përdorimin e ketyre lloj prodhimeve. Si pasojë, prodhuesi më i madh i ushqimeve të modifikuara gjenetikisht në Shtetet e Bashkuara, kompania Monsanto ka pësuar humbje të shumta.

Gjatë shekujve, njerëzit janë përpjekur të shtojnë prodhimin duke bërë kryqëzimin e bimëve të ndryshme dhe pllenimin e kontrolluar. Duke përdorur këto metoda tradicionale, mijera gjene kalohen nga njëra bimë në tjetrën duke kombinuar karakteristikat e tyre.

Shkenca në ditët e sotme ka përparuar aq shumë sa që shkenëtarët mund të veçojnë një apo dy gjene për t’i transferuar ato nga njëra bimë në tjetrën. Ky transferim bën që bima të rritet më shpejt ose që t’i rezistojë kushteve jo të favorshme natyrore. Kjo teknologji e re po përdoret për shtimin e prodhimeve të misrit, grurit, pambukut e të tjera.

Kompania Monsanto prodhon gjithashtu plehëra kimike kundër insekteve por që nuk janë të dëmshme për bimët e modifikuara gjenetikisht.

Në këtë kompani punojnë rreth 1000 shkencëtarë në rreth 300 laboratore. Në këto laboratore mund të shihen robotë që sillen andej këndej dhe duken si të ishin në një anijeje të hapësirës. Robotët mund të shihen duke çuar disqe nga një vend në tjetrin. Këto disqe thotë zoti Bill Kosinski, i kompanisë Monsanto, janë provëza që shërbejnë për zbulimin e ilaçeve të reja.

“Së pari duhet të zbulohet enzima e një semundjeje të caktuar. Kjo enzimë ekstraktohet dhe provohet me komponime të ndryshme kimike”.

Zoti Kosinski thotë se qendra kërkimore në St.Luis është në gjendje të prodhojë bimë artificiale për të jetuar në kushte të vështira ose të luftojnë çdo helm që prek bimët.

“Ne izolojmë insektin i cili ka prekur bimën dhe e ushqejmë me proteina të ndryshme. Në këtë proces punojnë njerëz mjaft kompetentë”. Pasi është identifikuar proteina e cila vepron kundër insektit, nxirren gjenet e kësaj proteine dhe futen në bimën e dëshiruar si për shembull misri apo gruri për ta bërë rezistente ndaj insektit.

Kompania Monsanto ka prodhuar një numër të madh të këtyre lloj ilaçeve por shumë njerëz e kundërshtojnë këtë metodë. Argumenti i tyre është se këto prodhime mund të jenë të dëmshme.

Mark Buckingham është një shkencëtar britanik në kompaninë Monsanto. Sipas tij prodhimet e kesaj kompanie nuk sjellin asnjë rrezik sepse janë të testuara pikërisht për të evituar rreziqet. Ai thotë se plehërat kimike tradicionale janë më të dëmshme se kjo metodë e re për mbrojtjen e bimëve. “Për të luftuar një insekt, me metodën e vjetër bujku do të duhej të spërkaste tërë arën ndoshta më shumë se një herë. Kjo do të eliminonte të gjitha insektet pa marrë parasysh nëse ato janë thjesht kalimtare apo vërtet paraqesin rrezik për prodhimet. E mira e zbulimeve të reja është se metoda e re bioteknologjike lufton vetëm insektet e dëmshme”. Mirëpo këto arsyetime nuk i kanë qetësuar kritikët. Ata kujtojnë rastet kur prodhimet e kësaj kompanie janë treguar të dëmshme për njerëzit.

Edhe pse nuk ka ndonjë provë shkencore për rrezikun që mund të vijë nga prodhimet e manipuluara gjenetikisht, Bashkimi Evropian i ka ndaluar këto lloj prodhimesh. Arsyetimi i tyre është se kjo teknologji është shumë e re dhe nuk mund të jetë testuar sa duhet për të qenë e besueshme. Si rezultat, vendet që varen nga eksporti i ushqimeve evropiane, refuzojnë të përdorin teknologjine e Monsantos.

Shtetet e Bashkuara kanë paraqitur një ankesë në Organizatën Botërore të Tregtisë kundër Bashkimit Evropian lidhur me këtë vendim.

Duke folur në një konferencë të bioteknologjisë në Uashington presidenti Bush tha se prodhimet e modifikuara janë të nevojshme për të luftuar urinë në vendet e Afrikës.

”Ne në vendin tonë i shohim dobitë e bioteknologjisë në çmimet e ushqimeve dhe në ruajtjen e cilësive të tokës. Por kjo teknikë duhet të përdoret edhe në vendet e Afrikës ku ajo është më se e nevojshme.” Megjithatë, edhe gjatë kohës kur zoti Bush fliste, aktivistët kundër teknologjisë bioteknike protestonin në Sacramento ku po mbahej një konference e nivelit minestror për bioteknologjinë. //kk//

XS
SM
MD
LG