Lidhje

Dhoma e Përfaqësuesve miraton 30 miliardë dollarë për sigurinë kombëtare - 2003-06-25


Dhoma e Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, me shumicë votash miratoi fonde prej më se 30 miliardë dollarësh për rritjen e sigurisë së vendit ndaj rreziqeve terroriste.

425 ligjvënës u shprehën në favor të projektligjit dhe vetëm dy vota ishin kundër. Një pjesë e madhe e kesaj shume do të përdoret për të ndihmuar autoritetet në shtetet dhe qytetet amerikane në rast të një sulmi terrorist.

Është hera e parë që Kongresi miraton fonde të rregullta vjetore që nga krijimi i Departamentit të ri të Sigurimit të Vendit i cili ka për qëllim të bashkërendojë përpjekjet e qeverisë kundër rreziqeve nga terrorizmi.

Pozita republikane dhe opozita demokrate në Kongres ishin të njëzëshme në miratimin e këtij projektligji i cili parasheh më shumë fonde për departmentin në fjalë dhe për administratën e sigurisë së transportit, e cila gjithashtu u krijua pas sulmeve të 11 shtatorit.

Ligji i sapo miratuar vë në dispozicion rreth 30 miliardë dollarë për vitin financiar 2004. Është kjo një rritje rreth gjysëm miliardë dollarë më shumë nga viti i kaluar dhe më se një miliardë më tepër nga ç’kishte propozuar presidenti Bush.

Mirëpo demokratët thonë se republikanët po e pengojnë shtimin e fondeve për ekipet e emergjencës dhe për Rojet Bregdetare që përgjigjen për mbrojtjen e porteve.

Ligjvënësi i shtetit Viskonsin në Kongresin amerikan, David Obei propozoi një miliardë dollarë më tepër për këtë ligj. Ai dhe demokrati nga Teksasi, Martin Frost bënë komente në kongres për sa i përket projektligji: “ Ky ligj është i pamjaftueshëm për të përmbushur interesat e sigurisë dhe të nevojave të Shteteve të Bashkuara,” tha zoti Obey.

“Siç është paraqitur, ky ligj nuk përmbush nevojat për përmirësimin e dobësive në mbrojtjen e atdheut”, u shpreh ligjvënësi Frost.” Amendamenti i propozuar nga zoti Obei, që parashihte një shtim në shumën e miratuar nga Kongresi, u hodh poshtë. Kjo rritje parashikohej të kompensohej duke pakësuar shkurtimin e taksave për të pasurit.

Harold Roxhers, i cili foli në emër të republikanëve, iu përgjigj kështu akuzave demokrate:

“Le ta kemi të qartë se ne po japim fonde të mjaftueshme për mbrojtjen e atdheut. Çdo koment që thotë të kundërtën është vetëm oportunizëm politik”, tha zoti Rogers. Udhëheqësi i shumicës në kongres, Tom Dilei tha se votimi për këtë ligj ishte një sprovë e besimit të publikut se si presidenti Bush dhe republikanët po i përdorin fondet në mbrojtjen e atdheut:

Projektligji në fjalë përfshin edhe fonde për të vënë zbatim masat kundër bioterrorizmit si dhe fonde për teknologjitë e reja ndaj rreziqeve nga armët bërthamore dhe kimike. Ai parashikon gjithashtu fonde për inspektimet e porteve si dhe kërkimet për krijimin e mjeteve që synojnë mbrojtjen e aeroplanëve të udhëtarëve.//kk//

XS
SM
MD
LG