Lidhje

Shtëpia e Bardhë: aparatura provë e mashtrimit të Irakut - 2003-06-26


Shtëpia e Bardhë thotë se zbulimi i fragmenteve të një aparature që përdoret për pasurimin e uraniumit tregon se Sadam Huseini kishte bërë deklarata falso për armët e shkatërrimit në masë.

Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike thotë se ky zbulim mbështet argumetet e saj se Iraku nuk kishte program aktiv armësh bërthamore. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Ari Fleischer thotë se ish-kreu i programit irakian për pasurimin e uraniumit u dorëzoi autoriteteve amerikane dokumente dhe pjesë të aparaturës së centrifugimit që ishin fshehur në kopshtin e tij që nga vitin 1991.

Zoti Obeidi na tha se këto objekte, projektet dhe pjesët e centrifugimit përfaqësonin të gjitha mjetet e nevojshme për të rindërtuar një program për pasurimin e uraniumit. Ai gjithashtu tha se pjesët ishin fshehur në kuadër të një plani sekret për të rikrijuar programin për prodhimin e armëve bërthamore, sapo të hiqeshin sanksionet ndaj Irakut, tha zëdhënësi Fleisher.

Zoti Fleischer tha se provat tregonin se deklaratat që Iraku kishte bërë në Kombet e Bashkuara për armët e shkatërrimit në masë para luftës ishin falso dhe se ekzistonte një program efektiv dhe i mirëqënë për të fshehur armët dhe për të mashtruar inspektorët e Kombeve të Bashkuara.

Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike thotë se zbulimi i pajisjeve të fshehura më se 12 vjet më parë mbështet përfundimet e saj se Iraku nuk ka pasur kohët e fundit një program aktiv për armët bërthamore.

Ndalimi i përhapjes së armëve bërthamore ishte një ndër arsyet kryesore që përmendi presidenti Bush për luftën ndaj Irakut. Kanë kaluar më shumë se 10 javë që nga rënia e Bagdatit, dhe presidenti Bush si dhe aleati i tij, kryeministri britanik Tony Blair po ndeshen me kritika se përse armët nuk janë gjetur ende.

Zoti Fleischer tha se zbulimi i fundit është provë i atyre që ai i cilëson si sfida ekstreme për gjetjen e këtyre armëve të fshehura:

Kemi shpresë se ky shembull do të nxisë shkencëtarë të tjerë irakianë të ofrojnë informacion. Që në fillim kemi këmbëngulur se mënyra më e mirë për të grumbulluar të dhëna është kur vetë irakianët u ofrojnë informacion Shteteve të Bashkuara, siç ishte rasti i këtij shkencëtari irakian.

Zoti Fleischer tha se Dr. Obeidi u intervistua nga inspektorët e Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike në vitin 2002, por nuk tregoi gjë për materialet e fshehura, pasi kishte frikë se i rrezikohej jeta.

Zoti Fleicher tha se për këtë arsye Shtetet e Bashkuara këmbëngulnin para luftës se inspektorët e Kombeve të Bashkuara duhet t’i nxirrnin shkencëtarët irakianë dhe familjet e tyre jashtë vendit për intervista, në mënyrë që të mos ndikoheshin nga frika.

XS
SM
MD
LG