Lidhje

Arafat: Pritet të shpallet së shpejti ndalimi i sulmeve ndaj Izraelit - 2003-06-26


Udhëheqësi palestinez, Jaser Arafat, thotë se pret një njoftim nga grupet ekstremiste për ndalimin e sulmeve kundër izraelitëve, por ekstremistët thonë se se armëpushimi nuk është i afërt.

Zoti Arafat u tha të enjten gazetarëve në Ramallah se marrëveshja ende nuk është përfunduar, por theksoi se një përgjigje mund të jepet brenda disa orësh.

Udhëheqës të Hamasit dhe Xhihadit Islamik, dy grupet kryesore ekstremiste, thonë se diskutimet vazhdojnë dhe ka shumë të ngjarë që një njoftim të bëhet brenda pak ditësh.

Grupet ekstremiste palestineze i cilësuan si provokuese komentet e djeshme të presidentit Bush se grupet si Hamasi duhen shpërbërë plotësisht, në mënyrë që të arrihet paqja në rajon.

Vazhdimi i dhunës e ka vënë në rrezik edhe procesin e brishtë të paqes. Mjete izraelite të informimit thonë se forcat izraelite vranë sot dy palestinezë ndërkohë që ata po përpiqeshin të hynin në Izrael nga Bregu Perëndimor.

Po të enjten, një izraelit u vra nga një palestinez në një pritë përgjatë të ashtuquajturës Vija e Gjelbër që ndan Izraelin nga Bregun Perëndimor. Më pas, sulmuesi u arrestua nga forcat izraelite të sigurimit.

Të mërkurën, trupat izraelite vranë dy ekstremistë të grupit Hamas në Gaza, ndërsa dy palestinezë të tjerë u vranë gjatë një sulmi izraelit me helikopterë, po në atë zonë. Në këtë sulm u plagosën edhe 14 persona të tjerë. Izareli thotë se sulmi ajror u krye kundër ekstremistëve të grupit Hamas, të cilët po përgatiteshin të sulmonin një vendbanim hebraik.

XS
SM
MD
LG