Lidhje

Eksplorime të reja në planetin Mars - 2003-06-27


Planeti Mars ka qenë objekt studimesh dhe misionesh të shumta të hapësirës në muajt e fundit. Arsye për këtë është një fenomen astronomik që e ka afruar planetin e kuq më pranë Tokës. Më 2 qershor, Agjencia Evropiane e Hapësirës lëshoi me sukses anijen hapsinore Mars Ekspres nga qendra e hapësirës në Baikanur të Kazakistanit. Ky është mjeti i parë evropian i udhëtimit për në një planet tjetër. Ai do të shërbejë për studime të sipërfaqes dhe atmosferës së Marsit. Anija do të lëshojë edhe një aparat të quajtur Beagle-2, i cili do të kërkojë për shenja të mundshme të ekzistencës së jetës tani ose në të kaluarën.

Ndërkaq Nasa ka lëshuar në orbitë përreth Marsit satelitin Global Surveyor, i cili po dërgon fotografi dhe të dhëna shkencore për planetin e kuq.

Kohët e fundit shkencëtarët në Laboratorin e Nasës në Posadena të Kalifornisë e drejtuan aparatin fotografik mbi Tokë. Më 8 maj aparati regjistroi fotografi të bukura të Tokës, të fshehur përgjysmë nga errësira.

Maikël Malin kryeson ekipin shkencor të Sistemeve të Hapësirës Malin në San Diego të Kalifornisë, që drejton satelitin Global Surveyor.

Zoti Malin thotë se fotografia u jep mundësi shkencëtarëve të vëzhgojnë planetin tonë nga pika ku janë përqëndruar për të studiuar Marsin. Për herë të parë ata kanë mundësi të shohin planetin Tokë si një ndër planetet përbërëse të Sistemit tonë Diellor.

Sateliti Global Surveyor është një ndër misionet më të suksesshme eksploruese për Marsin. Ai ka qenë në orbitë që në shtator të vitit 1997, kur filloi të vëzhgojë sipërfaqen e Marsit dhe të dërgojë të dhëna të vlefshme për atmosferën dhe sipërfaqen e planetit të kuq.

Planeti Mars ka qenë objekt i shumë misioneve hapsinore kohët e fundit, si lëshimi me sukses nga Nasa i robotëve rover para disa javësh dhe lëshimi i anijes hapsinore evropiane Mars Ekspres. Arsye për këtë është se kohët e fundit ky planet po i afrohet ndjeshëm Tokës. Më 27 gusht dy planetet do të jenë vetëm 56 milion kilometra larg njëri-tjetrit. Kjo është distanca më e vogël ndërmjet tyre në 60 mijë vjet e fundit. Në gjuhën e astronomisë, ky është një zhvillim shumë i rëndësishëm, prandaj Nasa, Agjencia Evropiane e Hapësirës dhe Japonia po dërgojnë mjete fluturuese në Mars.

Zyrtarët e Nasës thonë se deri në muajin gusht, planeti Mars do të bëhet gjithnjë e më i ndritshëm. Të gjithë amatorët e astronomisë mund ta dallojnë planetin qartë në qiellin e mëngjesit, pasi ka një dritë të theksuar të kuqe. I vetmi planet që duket më i ndritshëm është Venusi, i cili ndodhet më pranë Diellit.

Dy mjete fluturimi Voyager u lëshuan para 26 vjetësh nga Kepi Kanaveral i Floridës. Voyager-1, i cili u lëshua në shtator 1997 është tani objekti më i largët nga Toka i prodhuar nga njeriu.

Sondat Voyager vazhdojnë të eksplorojnë hapësirën dhe të dërgojnë në Tokë të dhëna me vlerë. Tani misioni i tyre është të dërgojnë të dhëna për hapësirën astronomike ku përfundon ndikimi i Diellit tonë. Kjo hapësirë quhet kufiri i helio-pauzës. Mjetet fluturuese Voyager do të studiojnë grimcat në këtë zonë të hapësirës që nuk ndikohet nga Dielli, dhe që nuk është arritur kurrë nga anije fluturuese. Dy mjetet hapsinore Voyager mund të jenë të parët të arrijnë këtë zonë, që mendohet se shtrihet nga 8 - 24 miliardë kilometra nga Dielli. Pritet që brenda një dhjetë-vjeçari, sondat Voyager të futen në zonën ku energjia e prodhuar nga Dielli, e quajtur erërat diellore, fillon të pakësohet dhe të humbë ndikimin. Kjo do të jetë prova e parë që Voyager po i afrohet kufirit të helio-pauzës.

//ad//

XS
SM
MD
LG