Lidhje

Qeveria e Maqedonisë e miratoi projekt-ligjin për arsimin e lartë, të mesëm dhe fillor - 2003-06-27


Qeveria e Maqedonisë miratoi projekt-ligjin për arsimin e lartë, të mesëm dhe fillor. Me ligjin e arsimit të lartë pritet të zgjidhet përfundimisht çështja e Universitetit të Tetovës, që është zvarritur që nga themelimi i tij para nëntë vjetësh. Ligji buron nga Marrëveshja e Ohrit dhe komuniteteve që përbëjnë mbi 20 përqind të popullatës u lejohet shkollimi i lartë në gjuhën e tyre. Ministri i Arsimit në Qeverinë e Maqedonisë, Aziz Pollozhani, tha se me miratimin e projekt-ligjit për Arsimin e lartë, tregohet vullneti i kësaj qeverie për të hapur rrugë dhe për të krijuar një kornize ligjore, që shqiptarëve t'u përmbushen nevojat për shkollim të lartë. Ky projekt-ligj, i cili pritet të miratohet në Parlament, i hap rrugën zgjidhjes së Universitetit të Tetovës.

Qeveria pret që Parlamenti ta miratojë pakon e ligjeve të arsimit deri më 15 korrik me qëllim që, siç tha ministri i Arsimit Aziz Pollozhani, të krijohet hapsirë që së bashku me strukturat e Universitetit të Tetovës të ndërmerren të gjitha masat ligjore për realizimin e kësaj çështjeje.

Me projekt-ligjin e qeverisë parashikohet financimi nga buxheti shtetëor i arsimit të lartë i atyre komunitetieve që përbëjnë mbi 20 përqind të popullatës në Maqedoni. Rrjedhimisht, parashikohet që Universiteti i Tetovës të jetë universitet shtetëror. Universiteti i Tetovës ka formuar komisione për kontakte me qeverinë për të zgjidhur problemin disavjeçar. Komisionet do të gjejnë zgjidhje edhe për njohjen e diplomave të atyre, që janë diplomuar deri tani në këtë universitet dhe numri i tyre mendohet se kalon 400-shin.

Ministri Pollozhani nuk mundi të thoshte nëse studentët e Universitetit të Tetovës vitin e ardhshëm akademik do ta fillonin në universitetin e njohur zyrtarisht nga shteti, por tha se kjo mund të bëhet në një kohë të pranueshme për të gjithë dhe në funksion të mirëqenies së këtij institucioni.

//ze//

XS
SM
MD
LG