Lidhje

Irak: gjenden të vdekur 2 ushtarët e humbur - 2003-06-28


Ushtria amerikane njoftoi se 2 ushtarët amerikanë, të cilëve nuk u dihej fati që nga e mërkura mbrëma, u gjetën të vdekur në veri të Bagdadit.

Komanda Qendrore Amerikane njoftoi se forcat e koalicionit i gjetën trupat e ushtarëve të shtunën rreth 32 kilometra në veri të Bagdadit.

Ushtarët u zhdukën të mërkurën mbrëma bashkë me automjetin dhe pajisjet e tyre. Një ushtar tjetër amerikan humbi jetën si pasojë e një sulmi me granadë kundër një autokolone në një lagje të Bagdadit.

Forcat e koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara janë ndeshur me sulme thuajse të përditshme dhe me viktima nga ata që zyrtarët amerikanë i cilësojnë si mbeturina të regjimit të Sadam Huseinit. Në një intervistë të shtunën, sekretari amerikan i shtetit Colin Powell tha se Shtetet e Bashkuara do të mbajnë një numër të konsiderueshëm trupash në Irak për muajt e ardhshëm deri sa ky vend të bëhet më i sigurtë.

Në një deklaratë të ushtrisë amerikane thuhej se trupat e 2 ushtarëve amerikanë u gjetën rreth 30 kilometra në veri të Bagdadit.

Në deklaratë nuk jepeshin hollësi rreth shkakut të vdekjes dhe nuk thuhej në se ishte gjetur automjeti i tyre i blinduar. Ushtarët u zhdukën të mërkurën në mbrëmje dhe forcat e koalicionit janë të shqetësuara se automjeti i tyre mund të përdorej për të kryer sulme terroriste kundër trupave të tjera amerikane.

Të premten, ushtria njoftoi arrestimin e 3 personave të dyshuar për rrëmbimin e ushtarëve.

Gjatë javëve të fundit ka pasur sulme thuajse të përditshme kundër forcave amerikane, ndërkohë që është shtuar qëndresa kundër pranisë së forcave të koalicionit, të cilat ndodhen në Irak që prej 3 muajsh.

Po të shtunën, një zëdhënës i ushtrisë amerikane tha se një ushtar ishte vrarë të premten vonë nga një sulm me granadë kundër një autokolone të forcave amerikane në pjesën veriore të Bagdadit. Katër ushtarë të tjerë dhe përkthyesi civil irakian u plagosën.

Ky është sulmi më i fundit në një sërë sulmesh kundër forcave të koalicionit gjatë javëve të fundit. Të paktën 6 ushtarë amerikanë kanë humbur jetën që nga mërkura, pas zhdukjes së dy uishtarëve, që u gjetën të vrarë.

Disa qendra kyçe të naftës dhe rrjeti i rrymës elektrike të Bagdadit janë dëmtuar, duke e lënë kryeqytetin vetëm me shërbime elektrike të atykëtushme.//kk//

XS
SM
MD
LG