Lidhje

Vazhdojnë debatet në gjirin e Partisë Socialiste - 2003-06-29


Në Shqipëri, në gjirin e Partisë Socialiste po zhvillohen debate të ashpra pas përplasjeve mes Kryeministrit dhe kryetarit të Partisë Fatos Nano dhe zëvendës-kryeministrit Ilir Meta.

Pas mbledhjes së kryesisë, ditën e premte përkrahësit e të dy krahëve kanë nisur një garë deklaratash duke shfaqur hapur ndarjen e re të krijuar mes tyre. Ndërsa kryeministri Nano është munduar të mos e ndezë më tej konfliktin, zëvendëskryeministri Ilir Meta po tregon se është i vendosur ta çojë deri në fund luftën e nisur.

Ai ka deklaruar se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen pasi diçka e tillë, sipas tij, do të çonte në kontrollin absolut të shtetit nga ana e zotit Nano.

Duke i hedhur një sy deklaratave të përkrahësve të tij, duket se qëllimi i zotit Meta është një rikompozim i qeverisë, ku, natyrisht, kandidatë për qeverinë e re që do të thirreshin, do të ishin përkrahës tij.

Të hënën, kryesia socialiste do të mblidhet përsëri. Ecuria e raundit të dytë të mbledhjes së kryesisë mund të jetë përcaktuese për zhvillimet e afërta në Partinë Socialiste.

Ndërkohë, në një zhvillim tjetër, ministrat e jashtëm të Shqipërisë, Italisë, Greqisë, Bullgarisë, Maqedonisë dhe Turqisë, si dhe përfaqësues të Komisionit Evropian do të mblidhen nesër në Tiranë për të diskutuar rreth Korridorit Tetë.

Takimi është organizuar nga Ministri i Jashtëm shqiptar, Ilir Meta. Përfaqësuesit e vendeve të përfshira në këtë projekt, do të diskutojnë rrugët dhe strategjitë për të venë në zbatim realizimin e Korridorit Tetë. //az//

XS
SM
MD
LG