Lidhje

Shqipëri: Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve nga korrupioni shtrihet edhe në Durrës - 2003-07-01


Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve (CAO) hapi sot një degë në Durrës, në përpjekje për t’i dhënë një shtytje të re reagimit të opinionit publik kundër korrupsionit administrativ dhe trafiqeve. Zyra e Durrësit u përurua të martën në një ceremoni me diplomatë amerikanë, zyrtarë të pushtetit vendor dhe qytetarë të shumtë. Ajo u bë e nevojshme, sipas drejtuesve të saj, pasi banorët e këtij qyteti kanë rgjistruar një numër të madh ankesash kundër korrupsionit në zyrat e organizatës në kryeqytet. Drejtori i Zyrës për Mbrojtjen e Qytetarëve, Kreshnik Spahiu, thotë se falë një fondi të dhuruar nga ambasada e SHBA në Tiranë, zyra e Durrësit do t’u japë një ndihmë ligjore të afërt gjithë qytetarëve që bien viktimë e korrupsionit administrativ, trafiqeve të qenieve njerëzore, krimit të organizuar dhe pengesa te tjera në sistemin e drejtësisë, që vazhdojnë të jenë të shumta në qytetin bregdetar. “Durrësi, jo vetëm nga madhësia, por edhe nga difektet e administratës, drejtësisë, apo për shkak se është një nga doganat, një nga pikat kufitare më të rëndësishme të vendit, ka problematika të mëdha me burokracinë, abuzimin dhe korrupsionin” - thotë zoti Spahiu. Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve ka arritur të jetë e sukseshme në 20% të cështjeve të paditura nga qytetarët, ndërsa pjesa tjetër janë në ndjekje e sipër. Juristët dhe avokatët e saj pohojnë se ende gjatë 3 vjetëve punë po hasin një rezistëncë gjithnjë e më të madhe nga zyrtarët e korruptuar që denoncohen cdo ditë e më tepër nga dhjetëra qytetarë. Me shtimin jashtë mase të punës, Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve do të hapë së shpejti degë të tjera edhe Vlorë, Lushnje e Lezhë. Në Shqipëri ekziston prej disa vjetësh edhe një Koalicion i Organizatave joqeveritare Kundër Korrupsionit (ACAC). Raportet e vëzhguesve dhe institucioneve perëndimore flasin me shqetësim për zhvillimin e korrupsionit administrativ, trafiqeve të drogave dhe qenieve njerëzore ku ka shumë viktima dhe krimit të organizuar. Kërkesa drejtuar autoriteteve shqiptare për t’i luftuar këto dukuri ka kushtëzuar vitet e fundit gjithë përpjekjet e Shqipërisë për t’u integruar në strukturat euro-atlantike.//ss//

XS
SM
MD
LG