Lidhje

A po bëhet njeriu më i ekspozuar ndaj viruseve të kafshëve? - 2003-07-01


Shumë nga viruset që prekin njerëzit, si HIV-i që shkakton Sidën, Ebola, lia e majmunit dhe SARS-i mendohet që fillimisht të kenë prekur kafshët. A po bëhen kështu njerëzit më të ekspozuar ndaj viruseve të ardhura nga kafshët?

Mbi 1000 shkencëtarë, mjekë dhe zyrtarë qeveritarë diskutuan mbi shkaqet dhe mjekimet e mundshme për SARS-in në një konferencë javën e kaluar, organizuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë në Kuala Lumpur. Të paktën 800 vetë kanë vdekur si pasojë e SARS-it. Besohet se një lloj kafshe që jeton në Kinën jugore, ia transmetoi virusin njerëzve.

Në Shtetet e Bashkuara, të paktën 84 vetë u prekën nga një virus i panjohur më parë në Hemisferën Perëndimore: lia e majmunit. U zbulua që ky virus ishte hasur në fillim tek një lloj brejtësi nga Shtetet e Bashkuara. Këto brejtës besohet ta kenë marrë virusin nga një lloj miu i madh i Gambias, i importuar nga një tregëtar kafshësh shtëpiake.

Shumë nga viruset që prekin njerëzit e kanë origjinën tek kafshët. Shkencëtarët po debatojnë nëse raste të tilla janë bërë më të shpeshta, apo thjesht se po zbulohen më shpesh.

Doktor Anthony Fauci drejton kërkimet për sëmundjet infektive në Institutet Kombëtare të Shëndetit në Shtetet e Bashkuara.

“Teknologjia që po arrin të krahasojë viruset që ndeshen tek kafshët dhe të shikojë se si ndryshon përbërja e tyre molekulare me ato që hasen tek njerëzit, na ka dhënë mundësinë që të dokumentojmë atë që e quajmë kapërcimin nga njëra specie në tjetrën. Teknologjia e para 100 vjetëve nuk e lejonte një gjë të tillë”.

Por para 100 vjetësh, nuk kishte aeroplanë që të çonin njerëzit, kafshët dhe insektet në vende ekzotike. Tani një sëmundje ngjitëse mund ta përshkojë globin në një ditë.

Doktoreshë Diane Griffin e Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin John Hopkins thotë se tani jemi më të ekspozuar ndaj virusit.

Para 100 vjetësh, numri i njerëzve në planet ishte më i vogël dhe askush nuk e kishte dëgjuar shprehjen “ngrohje globale”. Ndërsa toka ngrohet gjithnjë e më shumë, insektet, mikrobet dhe qeniet e tjera të gjalla nga zona me klimë të ngrohtë përhapen më shumë duke mbartur viruse që mund të infektojnë gjallesat që gjendeshin atje më parë.

Organizata Botërore e Shëndetësisë po ngre një sistem mbikqyrjeje globale për t’u kundërpërgjigjur ndaj viruseve të reja.

Kjo i ndihmoi zyrtarët e shëndetësisë që ta pakësojnë shumë ndjeshëm përhapjen e SARS-it, sipas doktor David Brandling-Bennet të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

“SARS-i është një shembull i asaj që mund të bëjmë. Sigurisht që ka vend për përmirësime, por me SARS-in u bë shumë më tepër në shkallë ndërkombëtare dhe u veprua më me shpejtësi se në raste të mëparshme”.

Në sistemin e mbikqyrjes globale bëjnë pjesë rrjete epidemiologjësh që mbledhin informacion, laboratore për të identifikuar viruset dhe mjekë për të kuruar pacientë.

Doktor Bennett thotë se Kina jugore dhe tropiku i Afrikës nuk janë vendet e vetme që ngjallin shqetësim.

Ndërsa popullsia rritet dhe zonat urbane kanë probleme higjenike, mbeturinat mund të krijojnë kushtet për disa viruse që mund të infektojnë brejtësit, ose insektet që pastaj mund të infektojnë njerëzit. Doktor Bennett thotë se ka shanse që kjo të bëhet një dukuri më e shpeshtë.

“Pse? Sepse po jetojmë në një planet më të populluar, ka gjithnjë e më shumë vende ku njerëzit dhe kafshët jetojnë bashkë, jo vetëm në Kinën Jugore, por edhe në lagjet e papastra në qytete të gjithë botës, kështuqë shanset për përhapjen e agjentëve të rinj nga kafshët tek njerëzit dhe mes njerëzve vetë do të rriten”.

Por doktor Griffin thotë se jo të gjitha viruset e reja do të kenë forcë të madhe infektuese.

“Ajo që nuk dimë plotësisht në lidhje me SARS-in dhe me linë e majmunit, është se sa lehtë ato mund të transmetohen nga një person në tjetrin, sepse në fakt një gjë e tillë përcakton nëse ato kthehen në një problem të jashtëzakonshëm, apo diçka që mund të frenohet”.

Një faktor tjetër përcaktues është reagimi i komunitetit ndërkombëtar. Në Konferencën Botërore të Shëndetit në Kuala Lumpur, doktorët, shkencëtarët dhe zyrtarët e qeverive shpresojnë të vënë në zbatim për ndonjë epidemi tjetër vdekjeprurëse, mësimet e nxjerra nga SARS-i.

XS
SM
MD
LG