Lidhje

Italia merr kryesinë e radhës të BE-së - 2003-07-01


Italia mori sot nga Greqia kryesinë e radhës të Bashkimit Evropian nga Greqia, mes shqetësimeve që lidhen me kryeministrin e vendit Silvio Berlusconi, i cili është bërë objekt debatesh.

Por Ministri i Jashtëm italian, Franco Frattini i quajti kritikat të padrejta dhe fyese. Ai i tha parlamentit se shansi që i jepet qeverisë së tij për të marrë kryesinë e Bashkimit Evropian është një moment historik, të cilin ajo synon ta shfrytëzojë për të mirën si të Italisë edhe të Evropës.

Pritet që kryeministri Berluskoni të parashtrojë pikpamjet e tij në një fjalim që do të mbajë nesër në Strasburg para Parlamentit Evropian.

Disa anëtarë të Parlamentit Evropian kanë shprehur shqetësimin e tyre lidhur me aftësinë e zotit Berluskoni për të drejtuar Bashkimin Europian. Ata kanë venë në dukje mosmarrëveshjet e zotit Berluskoni me vendet e tjera anëtare të Bashkimit lidhur me politikën në Lindjen e Mesme si dhe lidhur me problemet e tij të përsëritura ligjore.

Dje, gjykatësit italianë që shqyrtojnë akuzat për korrupsion të ngritura kundër kryeministrit, i kërkuan Gjykatës së Lartë të vendit të shqyrtojë se sa përputhet me Kushtetutën një ligj i ri që i jep zotit Berluskoni imunitet nga ndjekja ligjore gjatë kohës që ai është në post zyrtar.

Ligjvënësit e miratuan ligjin muajin e kaluar, duke bërë që të pezullohet gjyqi i zotit Berluskoni, i cili akuzohet se u ka dhënë rryshfet gjykatësve në vitet 80. Kryeministri italian thotë se akuzat kundër tij janë me motive politike.

Bashkimi Europian shpreson që gjatë 6 muajve të ardhshëm, të hartojë përfundimisht kushtetutën e tij të parë, të përmirësojë lidhjet me Shtetet e Bashkuara dhe të rigjallërojë ekonominë e Bashkimit.// lk //

XS
SM
MD
LG