Lidhje

Fillon tërheqja e trupave izraelite nga Betlehemi - 2003-07-02


Trupat izraelite filluan tërheqjen nga qyteti i Betlehemit, duke i hapur kështu rrugën Autoritetit Palestinez që të marrë përsipër sigurimin e këtij qyteti të Bregut Perëndimor.

Udhëheqësit izraelitë dhe palestinezë thonë se ky është një hap i rëndësishëm në zbatimin e planit të paqes për Lindjen e Mesme.

Qyteti i Betlehemit do të kontrollohet nga policia palestineze, ndërsa trupat izraelite do të vazhdojnë të kontrollojnë rajonet përreth objekteve të shenjta siç parashikohet në marrëveshjet e Oslos.

Për transferimin e përgjegjësive të sigurimit për Betlehemin ishte rënë dakord para takimit të së martës me dyer të mbyllura midis kryeministrit izraelit Ariel Sharon dhe homologut të tij palestinez Mahmud Abaz.

Zyrtarët thonë se të dy udhëheqësit ranë dakort të krijojnë një komision të përbashkët për të diskutuar problemet kryesore si ato të sigurimit dhe lirimin e të burgosurve palestinezë që mbahen nga Izraeli.

Shtëpia e Bardhë i përshëndeti bisedimet dhe tha se po shqyrton mundësinë për t’i dhënë Autoritetit Palestinez ndihma të drejtëpërdrejta, një masë që mund të ndihmojë politikisht zotin Abaz në përpjekjet e tij për të plotësuar kërkesën e Izraelit për ndërprerjen e gjithë sulmeve terroriste.

Zoti Abaz, nga ana e tij, po kërkon që Izraeli të lirojë të burgosurit palestinezë, të heqë dorë nga poliitka e vrasjes së udhëheqësve të grupeve militante dhe të tërhiqet nga Bregu Perëndimor.

Ndërkohë sipas një ankete të re, 80 përqind e palestinezëve në Bregun Perëndimor dhe në Rripin e Gazës thonë se mbështesin një armëpushim pa afat për të ndihmuar planin e paqes. Në muajin prill kjo shifër ishte 71 përqind. //kk//

XS
SM
MD
LG