Lidhje

Me ndaljen e ndihmës, Amerika përsërit nevojën për imunitetin e shtetasve të saj - 2003-07-02


Sipas një mandati të Kongresit, administrata e presidentit Bush, e pezulloi të martën ndihmën ushtarake ndaj 35 vendeve, të cilat nuk kanë pranuar t’u japin imunitet anëtarëve të forcave të armatosura amerikane nga Gjykata Penale Ndërkombëtare.

Mes këtyre vendeve, të cilat merrnin ndihmë nga Shtetet e Bashkuara, është edhe Kolumbia, si dhe gjashtë vende, të cilat së shpejti do të pranohen në NATO.

Zyrtarë amerikanë thonë se sasia e ndihmës amerikane që po ndërpritet, nuk është një shifër tepër e madhe, ajo është më pak se 50 milionë dollarë.

Por ata thonë se ndalimi i ndihmës thekson seriozitetin me të cilin administrata e presidentit Bush dhe Kongresi e shohin çështjen e Gjykatës Penale Ndërkombëtare, si dhe nevojën që trupat amerikane të kenë imunitet nga juridiksioni i kësaj gjykate.

Presidenti Bushi dha urdhër për tërheqjen e Shteteve të Bashkuara nga traktati i Romës, ku u mor vendimi për krijimin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare, më tepër se një vit më parë, duke argumentuar se kjo gjykatë, që synon nxjerrjen para drejtësisë të atyre që kryejnë krime kundër njerëzimit, mund të bëhej një forum për ndjekje penale të motivuara politikisht ndaj paqeruajtësve të amerikanë, si dhe trupave të tjera të vendosura në vende të ndryshme të botës.

Një korriku ishte afati i caktuar nga një akt i Kongresit për vendet, të cilat ose duhet të firmosnin marrëveshje të veçanta me Shtetet e Bashkuara, për imunitet ndaj Gjykatës penale, ose në rast të kundërt, këtyre vendeve do t’u ndërpritej ndihma ushtarake amerikane.

Ky vendim është kritikuar ashpër nga aleatët evropianë të Shteteve të Bashkuara, të cilët thonë se ky qëndrim i Uashingtonit e dobëson Gjykatën Penale. Por zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Richard Boucher theksoi se Shtetet e Bashkuara po përpiqen të mbrojnë të drejtat e tyre, dhe jo të minojnë Gjykatën Penale Ndërkombëtare. “Ne nuk po përpiqemi të ndërhyjmë në të drejtën e vendeve që kanë vendosur ta firmosin dhe zbatojnë marrëveshjen për Gjykatën penale Ndërkombëtare. Por ne kërkojmë që e drejta jonë, vendimi ynë dhe sovraniteti ynë për të vendosur për të mos marrë pjesë në këtë marrëveshje, të respektohet në mënyrë të ngjashme. Është e rëndësishme që ne të kemi të drejtën për të vendosur në se duam apo jo të jemi pjesë e një traktati ndërkombëtar dhe si rrjedhim të mos i nështrohemi juridiksionit të një marrëveshjeje, në të cilën ne nuk marrim pjesë”, tha zëdhënësi.

35 vendet që u përjashtuan nga ndihma amerikane nuk e kanë nënshkruar marrëveshjen me Uashingotnin për t’u dhënë imunitet ushtarëve amerikanë.

Vendimi i Kongresit, për ndërprerjen e ndihmës ushtarake, i quajtur Akti për Mbrojtjen e Anëtarëve të Forcave të Armatosura Amerikane, nuk përfshin vendet anëtare të NATO-s, ose ato vende që njihen si aleatë kryesorë të Shteteve të Bashkuara jashtë Natos.

Veç kësaj, për shkaqe të sigurisë kombëtare, presidenti Bush ka ushtruar një dispozitë ligjore për të vazhduar ndihmat ushtarake për 16 vende të tjera, megjithëse ato nuk kanë nënshkruar marrëveshje për t’u dhënë imunitet trupave amerikane.

Vendet që ndeshen me prerjen e ndihmave, janë Kolombia, një nga vendet kryesore që marrin ndihmë ushtarkae nga Shtetet e Bashkuara, si dhe gjashtë vende që po përgatiten të pranohen vitin e ardhshëm në NATO, si Estonia, Letonia, Lituania, Bullgaria, Sllovakia dhe Sllovenia.

Zyrtarët amerikanë theksuan se pjesa më e madhe e ndihmës për vendet që janë ftuar të pranohen në NATO këtë vit, tashmë është dhënë dhe kështu që këto vende nuk preken nga ndërprerja e ndihmave.

Në rastin e Kolombisë, shumica e programit prej një miliardë dollarësh në vit është për luftën kundër narkotikëve. Dhe nga ndihma ushtarake amerikane prej 100 milionë dollarësh që ishte planifikuar t’i jepej këtë vit Kolombisë, asaj i janë dhënë vetëm 5 milionë dollarë. //kk//

XS
SM
MD
LG