Lidhje

Bush: Lindja e Mesme nuk do të ketë paqe pa zhdukjen e organizatave terroriste - 2003-07-03


Presidenti Bush tha se është i kënaqur me zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme por paralajmëroi se ende ka grupe ekstremiste që kërkojnë të ndërpresin procesin e paqes.

Reagimi i presidentit ndaj ngjarjeve të fundit në Lindjen e Mesme është zakonisht optimist. Gjithsesi, thotë ai, është një lloj optimizmi i përzier me një dozë të fortë realizmi.

“Jam optimist por gjithashtu e kam të qartë natyrën e Lindjes së Mesme. Me këtë dua të them se atje ka njerëz që ende ushqejnë urrejtje. Ata urrejnë Izraelin. Ata urrejnë idenë e paqes. Ata nuk mund ta durojnë idenë e një shteti paqësor që të ekzistojë përkrah Izraelit. Ata mund të jenë të gatshëm të sulmojnë. Ne duhet të vazhdojmë t’i kundërvihemi këtij lloj mendimi,” tha presidenti.

Gjatë një sesioni të shkurtër me gazetarët, presidenti Bush përmendi në veçanti grupin ekstremist palestinez Hamas.

“Hamasi nuk është organizatë paqësore kur është i gatshëm të hedhë në erë njerëz dhe të shkatërrojë jetë të pafajshme,” tha presidenti.

Kohët e fundit Hamasi ra dakort për ndalimin tre-mujor të konfliktit me Izraelin. Administrata e presidentit Bush e mirëpriti ndalim-zjarrin si një hap të rëndësishëm. Por presidenti e bëri të qartë edhe një herë se ai mendon që në rajon nuk do të ketë paqe derisa Hamasi dhe grupe të ngjashme të pushojnë së ekzistuari:

“Përparimi do të arrihet kur bota, në veçanti ajo pjesë e botës t’u kundërvihet me vendosmëri dhe një herë e mirë veprimtarive terroriste,” tha presidenti.

Presidenti Bush tha se e kishte diskutuar këtë çështje me presidentin egjiptian Hosni Mubarak dhe Mbretin Abdullah të Jordanisë.

“Unë i lavdërova përpjekjet e tyre dhe u bëra thirrje të vazhdojnë angazhimin e tyre në këtë proces, sepse të gjithë ne duhet të vazhdojmë t’i kundërvihemi terrorit, duhet të përballemi drejtpërdrejtë me terrorin dhe ta dënojmë atë në të gjithë shembujt. Ne duhet të presim fondet që ushqejnë organizatat terroriste në mënyrë që të vazhdojë përparimi,” tha presidenti.

//ad//

XS
SM
MD
LG