Lidhje

Vazhdojnë reagimet rreth thirrjes për kthimin e të zhvendosurve në Kosovë - 2003-07-03


Në Kosovë kanë vazhduar reagimet pozitive të përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare dhe reagimet e ndara të përfaqësuesve serbë, lidhur me letrën e udhëheqësve politikë shqiptarë drejtuar personave të zhvendosur për t’u kthyer në shtëpitë e tyre.

Kjo thirrje u publikua të mërkurën në Prishtinë dhe ishte nënshkruar nga drejtuesit më të lartë të institucioneve dhe partive politike. Me anë të saj ftohen personat e zhvendosur që ndodhen në Serbi, Mal të Zi e Maqedoni e të cilët e çmojnë Kosovën si atdheun e tyre, të kthehen për të ndërtuar, siç thuhet ardhmërinë e përbashkët.

Letra është mirëpritur nga Misioni i Kombeve të Bashkuara, zyrtarët e të cilit thanë se ky është veprimi që i është dashur më së shumti Kosovës. Peggy Hicks shefe e zyrës për personat e zhvendosur, tha se kjo letër është shumë inkurajuese.

“Kjo ndihmon për të sqaruar se kthimi nuk është një proces politik, por çështje e së drejtës individuale për kthim”, tha zonja Hicks.

Letra është përshëndetur edhe nga zyrat diplomatike në Prishtinë, përfshirë edhe atë italiane, vendi i së cilës kryeson Bashkimin Evropian.

Në një kumtesë të lëshuar nga kjo zyrë thuhet se përkushtimi i tillë për të krijuar kushte për kthim të qëndrueshëm është vlerësuar gjithnjë nga bashkësia ndërkombëtare si veprim shumë i rëndësishëm për ndërtimin e një shoqërie shumetnike e shumëkulturore.

Krijimi i kushteve për zbatimin e parimeve të demokracisë së vërtetë dhe tolerancës është hap pozitiv drejt Evropës thuhet në kumtesën e zyrës italiane.

Përfaqësuesit serbë të ndarë në vlerësimet e tyre

Ndërkaq të ndarë në vlerësimet e tyre janë përfaqësuesit serbë. Një pjesë e tyre thanë se letra nuk është e sinqertë dhe se sipas deputetes serbe në Parlamentin e Kosovës Rada Trajkoviç, ajo “i është drejtuar më shumë bashkësisë ndërkombëtare sesa të zhvendosurve serbë”.

Një qëndrim më të ndryshëm ndërkaq shprehu, Oliver Ivanoviq, nënkryetar i Parlamentit të Kosovës, sipas të cilit kjo mund të ndryshojë qasjen ndaj çështjes së kthimit.

“Ky është një fillim i mbarë ndërsa, efektet e letrës do të varen nga veprimet e mëtejshme të udhëheqësve politikë shqiptarë. Letra duhet të pasohet nga hapa konkretë nëpër komuna ku edhe në fakt zbatohet procesi i kthimit”, theksoi Oliver Ivanoviç.

Sidoqoftë, letra e udhëheqësve shqiptarë është cilësuar si veprimi më i fuqishëm deri tash pas deklaratës që ishte miratuar në Parlament kohë më parë me të cilën u njihej e drejta e kthimit të gjithë personave të zhvendosur pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike.//kk//

XS
SM
MD
LG