Lidhje

Ekspertët analizojnë një kasetë që thuhet se është zëri i Sadam Huseinit - 2003-07-04


Një person i regjistruar në kasetë, i cili pretendon se është Sadam Huseini, thotë se së shpejti do të ketë sulme të reja kundër ushtarëve amerikanë në Irak. Regjistrimi u transmetua dje nga televizioni Al-Jazeera dhe përkoi me luftime nga të cilat gjeti vdekjen një ushtar amerikan dhe u plagosën 18 të tjerë, si dhe mbetën të vrarë 18 sulmues irakianë.

Personi i regjistruar në kasetë thotë se gjatë ditëve të ardhshme, celulat e reja të luftës së shenjtë do të shkallëzojnë sulmet kundër atyre që i cilëson si pushtues të pafe. Ai u bën thirje irakianëve të mbrojnë ata që luftojnë kundër pushtimit amerikan.

Folësi tallet gjithashtu me Shtetet e Bashkuara duke ngritur pyetjen “Ku janë armët?” Ai thotë se pretendimi amerikan se Iraku kishte armë të shkatërrimit në masë ishte fasada e rreme për të justifikuar pushtimin.

Folësi i regjistruar në kasetë thotë se ai ndodhet në Irak dhe shton se regjistrimi u bë më 14 qershor. Njoftimet nga televizioni Al-Jazeera si dhe agjenci të tjera lajmesh thonë se zëri tingëllon si Sadam Huseini.

Shtëpia e Bardhë thotë se Agjencia Qendrore e Zbulimit po punon për të përcaktuar nëse kaseta është autentike. Washingtoni ka ofruar një shpërblim prej 25 milion dollarësh për të dhëna që çojnë në kapjen e Sadam Huseinit ose në zbulimin e provave se ai ka vdekur. Një shpërblim prej 15 milion dollarësh po ofrohet për të dhëna mbi dy djemtë e Sadamit, Qusay dhe Ouday.//ic//

XS
SM
MD
LG