Lidhje

Numri i studentëve të huaj mund të bjerë në SHBA - 2003-07-05


Studentët e huaj kanë rëndësi në Shtetet e Bashkuara. Shumë prej tyre marrin pjesë në studime të rëndësishme. Shumica duhet të paguajë kostot e plota për arsimim, gjë që ndihmon universitetet që të përmbushin detyrimet e tyre buxhetore. Vitin e kaluar, studentët e huaj dhe familjet e tyre futën 12 milion dollarë në ekonominë amerikane, shifër kjo e dhënë nga Instituti i Arsimit Ndërkombëtar me seli në New York.

Tani shumë zyrtarë të fushës së arsimit thonë se janë të shqetësuar se një numër më i vogël studentësh do të vijnë në Shtetet e Bashkuara vitin e ardhshëm akademik. Universitetet hapen përsëri në gusht ose në shtator. Zyrtarët i bazojnë shqetësimet e tyre pjesërisht në rënien e numrit të studentëve, që ndjekin programe intensive të gjuhës angleze gjatë verës.

Vetëm pak më shumë se 50 përqind të shkollave të Shoqatës Amerikane të Programeve Intensive për Gjuhën Angleze iu kërkua në muajin maj informacion në internet për studime. Anëtarët e kësaj shoqate thonë se parashikojnë 19 përqind më pak studentë se sa verën e vitit të kaluar dhe mbi 30 përqind më pak se sa verën e vitit 2001.

Anëtarët thonë se një prej arsyeve për mundësinë e rënies së numrit të studentëve është procesi më i ngadalshëm dhe më i kufizuar për dokumentat e udhëtimit në Shtetet e Bashkuara. Siguria është shtuar që prej sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001. Shkollat fajësojnë gjithashtu problemet e udhëtimit të shkaktuara nga sindromi i sëmundjes akute të rrugëve të frymëmarrjes, Sarsi.

Gjatë viteve të fundit, një numër në rritje studentësh të huaj kanë ardhur në Shtetet e Bashkuara. Instituti i Arsimit Ndërkombëtar thotë se këta studentë përbëjnë më shumë se 4 përqind të të gjithë studentëve në kolegjet dhe universitetet amerikane. Sipas këtij instituti, numri i studentëve të huaj arriti një shifër rekord vitin e kaluar: mbi 580 mijë. Numri më i madh i studetëve erdhi nga India, por para vitit të kaluar numri më i madh i studentëve të huaj vinin nga Kina.

Për disa vjet me radhë, studentëve të huaj u është bërë e mundur të vazhdojnë studimet në një kolegj apo universitet amerikan pa qenë nevoja që të largohen nga vendi i tyre. Shumë shkolla ofrojnë studime akademike në internet. Mes tyre janë Universiteti Ndërkombëtar Jones në Englewood, të shtetit Kolorado dhe Universiteti i Feniksit në Arizona.

Universiteti George Washington këtu në Washington po krijon aktualisht një program studimor në internet për anëtarët e familjet mbretërore në Arabinë Saudite.//kk//

XS
SM
MD
LG