Lidhje

Turqia thotë se trupat amerikane kanë ndaluar 11 ushtarë turq - 2003-07-05


Turqia ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të 11 ushtarëve turq në Irakun verior, për të cilët thotë se janë ndaluar nga trupat amerikane. Zyrtarët amerikanë në kryeqytetin turk thonë se nuk dinë asgjë për atë që kryeministri i Turqisë e përshkruan si një incident të pakëndshëm.

Nuk ka shumë hollësi për aksionin që autoritetet turke thonë se u krye dje nga trupat amerikane kundër forcave speciale turke të vendosura në provincën e Sulaimaniahut, në veriun e Irakut që kontrollohet nga kurdët. Zyrtarët amerikanë në Ankara thonë se nuk kanë dijeni për incidentin.

Sipas njoftimeve të shtypit vendas, rreth 100 trupa amerikane vepruan kundër forcave speciale turke, për të mos i lejuar që të ndërmerrnin një sulm kundër një guvernatori krahinor kurd. Por zyrtarët turq mohuan që të kishte patur plane për një sulm të tillë.

Kryeministri turk Tyyip Erdogan e përshkroi sot ndalimin e trupave amerikane, si një akt të pakëndshëm nga ana e Shteteve të Bashkuara.

Zëvendës shefi i shtatmadhorisë turke, gjeneral Yasar Buyukanit tha se Turqia nuk mund ta kuptonte, siç u shpreh ai, synimin amerikan.

Zyrtarët turq thonë se Ministri i Jashtëm Abdullah Gul bëri dje një bisedë telefonike me Sekretarin Amerikan të Shtetit Colin Powell, duke kërkuar sqarime për aksionin që thuhet se është kryer. Ata thanë se zoti Powell kishte premtuar se do të merrej me këtë çështje, por nuk kishte kthyer ende përgjigje.

Disa mijëra trupa turke janë dislokuar në Irakun verior të kontrolluar nga kurdët, që pas Luftës së Parë të Gjirit për të kapur kryengritësit separatistë kurdë të Turqisë që janë vendosur në këtë zonë malore.

Turqia druhet se kurdët e Irakut po përpiqen të krijojnë një shtet të pavarur me ndihmën e Shteteve të Bashkuara.

Marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe aleates së NATO-s, Turqisë kanë pësuar rënie që para luftës së udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara që solli përmbysjen e udhëheqësit të Irakut, Sadam Husein.

Parlamenti turk nuk pranojë t’u japë leje trupave amerikane që të përdorin territorin turk si një front të dytë kundër forcave të Sadamit në Irakun verior, duke ngjallur në atë kohë zemërimin e zyrtarëve amerikanë. //kk//

XS
SM
MD
LG