Lidhje

Një ushtar amerikan në gjendje të rëndë pasi u qëllua me armë - 2003-07-06


Një ushtar amerikan është në gjendje të rëndë, pasi u qëllua të dielën në Universitetin e Bagdadit.

Dëshmitarët thanë se ushtari ishte në një kafene kur një person i armatosur hapi zjarr, duke e qëlluar ushtarin në kokë. Sulmuesi iku nga vendi i ngjarrjes, ndërsa ushtari u dërgua menjëherë në një spital ushtarak.

Forcat amerikane kanë rrethuar zonën përreth universitetit për të kërkuar për vrasësin, për të cilin dëshmitarët thanë se përdori një revole.

Nga sulmet kundër forcave amerikane në Irak janë vrarë 26 ushtarë që prej 1 majit, kur presidenti Bush i shpalli të përfunduara luftimet kryesore në Irak. Zyrtarët amerikanë fajësojnë për sulme të tilla forcat besnike të regjimit të përmbysur të ish udhëheqësit irakian, Sadam Husein.

Të premten, një gazetar britanik u vra në Bagdad, vetëm disa orë pasi nga një shpërthim i telekomanduar u vranë 7 rekrutë të një force të re policore irakiane, e mbështetur nga trupat amerikane.

Gazetari i lirë, 24 vjeçari Richard Wilde, u vra jashtë Muzeumit Kombëtar të Irakut, ku një ushtar amerikan u vra në fillim të javës. Një koleg i gazetarit tha se vrasësi me sa duket iu afrua afër gazetarit britanik dhe e qëlloi në kokë e pastaj iku. Gazetari po bënte kërkime për të shkruar një artikull rreth muzeut.

7 rekrutët e policisë u vranë në qytetin Ramadi, 60 kilometra në perëndim të Bagdadit, ndërkohë që ata po marshonin në rrugë pas ceremonisë së tyre të diplomimit. Zyrtarë të ushtrisë amerikanë thanë se 13 rekrutë të tjerë u plagosën. Irakianët thanë se edhe dhjetra njerëz të tjerë u plagosën nga shpërthimi i telekomanduar.

Në një zhvillim tjetër, zyrtarë të ushtrisë amerikane e deklaruan të përfunduar Operacionin Sidewinder, që kishte për qëllim shfarrosjen e elementëve besnikë të Sadam Huseinit dhe të tjerëve, të angazhuar në sulme kundër forcave të koalicionit.

Në një deklaratë të Komandës Qëndrore Amerikane thuhej se operacioni përfundoi dje, gjatë të cilit u ndaluan 282 veta dhe u sekuestruan lloje të ndryshme armësh.//kk//

XS
SM
MD
LG