Lidhje

Presidenti Bush shkon për vizitë në Afrikë - 2003-07-07


Presidenti Bush po fillon një vizitë në Afrikë, gjatë së cilës ai do të premtojë më shumë ndihma për qeveritë e vendeve të cilat shquhen për reformat ekonomike dhe qeverisjen e mirë.

Kjo vizitë është pjesë e fushatës për të përmirësuar imazhin e Shteteve të Bashkuara pas ndërhyrjes në Irak e cila u bë shkak për debate të shumta.

Programi i Presidentit, i quajtur Sfida e Mijëvjeçarit, do të rrisë ndihmën e Shteteve të Bashkuara për Afrikës në masën 50 për qind gjatë viteve të ardhshme.

Por ndihmat do t’u shkojnë vetëm qeverive që plotësojnë kriteret e caktuara nga Shtetet e Bashkuara lidhur me investimet në fushat e kujdesit shëndetësor dhe arsimit, reformat e ekonomisë së tregut dhe luftën kundër korrupsionit.

Këshilltarja për Sigurinë Kombëtare e Presidentit Bush Kondoliza Rajs, thotë se Presidenti Bush po nxit qeverisjen e mirë në Afrikë me shpresën e përmirësimit të standarteve të jetës nëpërmjet rritjes ekonomike.

“Presidenti Bush e merr seriozisht Afrikën, udhëheqësit afrikanë dhe mundësitë e këtij kontinenti për të ndihmuar në rritjen dhe zhvillimin e ekonomisë botërore, tha zonja Rajs”, thotë ajo.

Presidenti Bush thotë se ai dëshiron që qeveritë e vendeve afrikane të jenë të përgjegjëshme për investimet në programet shoqërore dhe reformat ekonomike, duke mos lejuar që fondet e donatorëve të përdoren për pasurimin e partive në pushtet. “Ne nuk do të financojmë udhëheqësit e korruptuar, tha Presidenti Bush. Nuk do të mbështesim financiarisht shoqëritë jo transparente. Taksapaguesit amerikanë dhe unë mendojmë, tha Presidenti Bush, se në këmbim të ndihmës, e cila është gati për t’ju ofruar vendeve afrikane, drejtuesit e tyre duhet të kujdesen për njerëzit duke i edukuar si dhe duke krijuar një sistem të mirë të kujdesit të tyre shëndetësor. Ne shpresojmë në rritjen e ekonomisë së tregut si dhe presim që drejtuesit e këtyre vendeve të jenë të kujdesshëm dhe të vetdijshëm për personat që ata përfaqësojnë, sepse ata i shërbejnë qytetarëve të tyre dhe jo vetes apo elitës së tyre drejtuese, tha Presidenti Bush.

Pjesë e programit të administratës së Presidentit Bush për përmirësimin e imazhit të Shteteve të Bashkuara në arenën ndërkombëtare, është edhe rritja e ndihmës, hapja e tregjeve amerikane si dhe rritja e shpenzimeve në luftën kundër SIDË-s. Udhëtimi në Afrikë ka për qëllim t’u tregojë skeptikëve synimet e Presidentit për të ndihmuar vendet që kanë nevojë në kuadër të përpjekjeve për të balancuar ndërhyrjet ushtarake në Afganistan dhe Irak me ndihmën humanitare në Afrikë dhe Karaibe.

“Ashtu si armiqtë tanë po njohin vullnetin e fortë të Shteteve të Bashkuara, njerëzit në mbarë botën po shikojnë zemrën e mirë dhe bujare të Amerikës”, tha Presidenti.

Përveç Nigerisë dhe Afrikës së Jugut, Presidenti Bush do të vizitojë Senegalin, Botswanën dhe Ugandën duke përcjellë mesazhin se Shtetet e Bashkuara interesohen për të ardhmen e Afrikës. //kk//

XS
SM
MD
LG