Lidhje

Bush, Mbeki: Afrika duhet t’i zgjidhë vetë problemet - 2003-07-08


Presidenti Bush po i jep fund vizitës në Afrikën e Jugut, ndalesa e dytë kjo e turneut të tij 5 ditësh në kontinentin afrikan.

Zoti Bush do të shkojë sot në Botsuanën fqinje për rreth 6 orë, ku do të zhvillojë bisedime me Presidentin Festus Mogae të këtij vendi të vogël por shumë të pasur me minerale. Zoti Bush do të vizitojë gjithashtu një qendër tregtare të sponsorizuar nga Shtetet e Bashkuara, si dhe një rezervat natyror. Pas Botsuanës, zoti Bush do të shkojë në Ugandë dhe Nigeri.

Dje zoti Bush u takua me Presidentin e Afrikës së Jugut, Thabo Mbeki për bisedime që u përqendruan në Liberinë e shkatërruar nga lufta dhe në konflikte të tjera në Afrikë.

Ndërkaq, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan, po i bën thirrje presidentit Amerikan të dërgojë trupa paqeruajtëse amerikane në Liberi.

Shtetet e Bashkuara ndodhen nën një presion të madh nga komuniteti ndërkombëtar për të dërguar trupa në Liberi, shtet i krijuar në shekullin e 19-të nga skllevërit e liruar amerikanë.

Por gjatë një konference të përbashkët shtypi, zoti Bush tha se të ndihmohet Afrika për t’u mëkëmbur nëpërmjet stërvitjes ushtarake amerikane është një strategji e rëndësishme, që do t’i mbante forcat amerikane vetëm për një kohë të kufizuar atje.

Më parë, po këtë javë, administrata e Presidentit Bush dërgoi një ekip në Liberi për të vlerësuar gjendjen humanitare dhe të sigurisë në këtë vend të Afrikës Perëndimore.

Ndërkaq, dje në Uashington, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Donald Rumsfeld, tha se ai ka dërguar një tjetër ekip në Ganë për bisedime me zyrtarët e Afrikës Perëndimore, se çfarë masash duhen marë në Liberi.

Presidenti i Afrikës së Jugut i tha zotit Bush se është me shumë rëndësi për vendet e Afrikës të marin përgjegjësi kryesore për zgjidhjen e konflikteve në këtë kontinent.//ic//

XS
SM
MD
LG