Lidhje

Kohërat moderne sjellin sfida për Kushtetutën amerikane - 2003-07-09


Në një paraqitje të pazakontë në televizion, dy anëtarë të Gjykatës së Lartë thanë se interpretimi i Kushtetutës amerikane për çështjet e kohëve moderne nuk është i lehtë, megjithatë kjo kushtetutë u ka shërbyer më së miri Shteteve të Bashkuara.

Ndryshe nga presidentët dhe ligjvënësit, anëtarët e Gjykatë së Lartë, përgjithësisht qëndrojnë larg vëmendjes së medias. Por gjykatësit Sandra Day O’Connor dhe Stephen Breyer, morën pjesë në programin “This Week” të rrjetit televiziv A-B-C për të diskutuar kompetencat e gjykatës dhe si ushtrohen ato.

Asnjeri nga gjykatësit nuk komentoi drejtpërdrejt për çështje apo ngjarje që kanë pushtuar kohët e fundit faqet e para të gazetave.

Por Stephen Breyer, i emëruar nga Presidenti Clinton në vitin 1994, foli rreth nevojës së balancimit mes çështjes së sigurimit kombëtar dhe çështjes së lirisë individuale. Kjo është një çëshje tepër e debatuar që nga sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 dhe luftës kundër terrorizmit që pasoi.

“Askush nuk do të donte të merrte ndonjë vendim që do të ishte i dëmshëm për sigurimin kombëtar. Vështirësia e këtyre çështjeve qëndron në përdorimin e termave të kushtetutës si ‘kontroll i paarsyeshëm’, për të vendosur balancën mes argumentave që mbështesin sigurimin dhe atyre që mbështesin më pak kufizime ndaj lirive individuale”, tha ai.

Gjykatësja O’Connor, e emëruar nga Presidenti Reagan në vitin 1981, shtoi se shumë çështje që i paraqiten gjykatës janë të ndërlikuara si rezultat i përparimeve teknologjike, krejtësisht të paparashikueshme kur u shkrua kushtetuta.

“Le t’i hedhim një vështrim Amendamentit të Katërt që ndalon kontrollin dhe sekuestrimin e paarsyeshëm. Tani shtrohet pyetja se çfarë është e paarsyeshme? Kur u hartua kushtetuta, autorët e saj nuk kishin asnjë dijeni për Kodin Gjenetik, për shembull. Si mund të interpretohet kushtetuta lidhur me çështje që kanë të bëjnë me të? Këto janë zhvillime teknologjike të kohëve moderne që në një farë mënyre duhen interpretuar në kuadrin e një kushtetute të shkruar në vitet 1700”, tha ajo.

Të dy gjykatësit thanë se Gjykata e Lartë përpiqet për të qënë sa më e saktë, por ajo nuk është e pagabueshme. Ata theksuan se çdo anëtar i saj duhet të veprojë bazuar në ndërgjegjen e vet për çdo rast dhe nuk ka shkëmbim votash në ndonjë çështje.

Muajin e kaluar, Gjykata e Lartë, mori vendime historike për një sërë çështjesh delikate, që nga pranimet në universitet në bazë të përkatësisë racore deri tek të drejtat e homoseksualëve lidhur me jetën e tyre private. As gjykatësja O’Connor dhe as gjykatësi Breyer nuk u pyetën lidhur me këto vendime, por edhe sikur të ishin pyetur, pak të ngjarë ka se ata do të kishin dhënë përgjigje. Por zoti Breyer foli për atë që do të jetë sfida kryesore për Gjykatën e Lartë në vitet e ardhëshme.

“Bota po integrohet përmes tregtisë, globalizmit, përhapjes së institucioneve demokratike dhe nëpërmjet imigrimit në Amerikë. Ajo po bëhet gjithnjë e më tepër një botë popujsh të ndryshëm. Se si do të jetojnë ata nëpër botë do të jetë një sfidë më vete. Nëse kushtetuta jonë do të jetë e përshtatëshme për t’u zbatuar në vende të tjera, për mendimin tim, do të jetë një sfidë për brezin e adhshëm”, tha ai.

Gjatë diskutimeve në Gjykatën e Lartë nuk janë lejuar asnjëherë kamerat televizive. Të dy gjykatësit thanë se janë kundër transmetimit televiziv të seancave të saj, duke argumentuar se kompleksiteti dhe sensitiviteti i punës së tyre nuk mund të mbulohen në fragmentet filmike që jepen në programet e lajmeve. //kk//

XS
SM
MD
LG