Lidhje

Marrëdhëniet italo-gjermane - 2003-07-10


Kryeministri italian Silvio Berlusconi po përballet me një krizë të mundshme qeveritare, ndërsa aleatët e tij kryesorë kritikojnë kabinetin se nuk ka arritur të vërë në jetë plotësisht programin e tij.

Kreu i Lidhjes së Veriut, Umberto Bossi tha sot se koalicioni i zotit Berlusconi është si një anije pa kapiten. Lidhja e Veriut që solli rënien nga pushteti të qeverisë së parë të zotit Berluskoni, në vitin 1994, thotë se kryeministri mes të tjerash nuk i ka plotësuar premtimet për t’u dhënë më shumë pushtet strukturave vendore.

Por mesa duket problemet e Italisë nuk mbyllen vetëm brenda kufijve të saj dhe furia e fjalëve ka zëmëruar për herë të dytë brenda pak ditësh Gjermaninë.

Kancelari gjerman Gerhard Shrëder njoftoi të mërkurën se do t’i anulonte pushimet që kishte vendosur të bënte në Romë, pas komenteve të një ministri italian. E megjithëse Berlini paralajmëroi Italinë se po rrezikon miliarda euro të ardhura që do të fitonte nga turistët gjermanë, vetë këta të fundit duket se nuk kanë ndërmend të heqin dorë nga turizmi në qytetet e bukura italiane.

Kancelari gjerman Gerhard Schroeder i anuloi pushimet e tij në Itali pas komenteve antigjermane të një ministri italian.

Stefano Stefani, Ministri italian i Turizmit nuk pranoi të kërkonte falje për cilësimin që u bëri gjermanëve si “biondë hipenacionalistë” që pushtojnë plazhet italiane.

Gazetat gjermane i kishin bërë thirrje kancelarit Shrëder që pas këtyre komenteve të Ministrit Stefani të mos shkonte në Itali . “Po të dojë të rrijë në shtëpi, ose le të shkojë ku të dojë”, thotë me shaka një kamarier italian në përgjigje të vendimit të Shrëderit.

Por turistët gjermanë mendojnë se kjo është thjesht një zënkë politike që nuk duhet të ketë asnjë lidhje me Italinë dhe italianët.

“Ai duhet të vijë në Itali, sepse Italia është një vend i mrekullueshëm. Unë mendoj se Shrëderit i pëlqen të vijë në Itali. Italia duhet të shpëtojë nga Berlusconi dhe gjithë njerëzit e tij. Do të ishte më mirë për Italinë”, thotë një turist tjetër gjerman në Romë.

“Mendoj se Shrëderi e ka gabim. Shpresoj se jemi të mirëpritur si turistë. Ne vijmë të shohim artin italian dhe na pëlqen që të vijmë këtu dhe mendoj që edhe italianëve u pëlqen që ne vijmë këtu. Nuk jam dakord me Shrëderin kur thotë se nuk duhet të vijmë në Itali”, thotë kjo turiste gjermane.

“Mua nuk më pëlqen Berlusconi. Por besoj se as italianëve nuk u pëlqen”, thotë turistja nga Hamburgu.

Marrëdhëniet gjermano-italiane janë keqësuar që kur kryeministri italian Silvio Berlusconi e krahasoi javën e kaluar një deputet gjerman të Parlamentit Evropian me një roje të një kampi përqendrimi nazist.

Kancelari Shrëder e pranoi ndjesën e Berluskonit për komentin, por një lumë fryerjesh nga ana e ministrit Stefani në një gazetë të djathtë këtë javë e acaruan përsëri gjendjen.

Gazetarja gjermane Christine Kohl, korrespondentja e së përditshmes gjermane Suddeutche Zeitung në Itali tha se ndoshta arroganca e Berluskonit është shkaku i kësaj krize diplomatike.

“Më duket se Berluskoni nuk e respekton edhe aq shumë qeverinë gjermane. Për të janë më të rëndësishme Shtetet e Bashkuara dhe Britania. Ndoshta prandaj mendoi që t’i ngacmojë gjermanët”, thotë gazetarja Kohl.

Por Ministri i Brendshëm gjerman Otto Schily që ka një shtëpi pushimesh në Toskanë tha se ishte e qartë që Stefano Stefani nuk është i kualifikuar për punën e tij.

“Duhet të kuptohet se çfarë reagimesh mund të shkaktojnë komente të tilla. Por nuk duhet absolutisht të vihen në diskutim marrëdhëniet tradicionalisht të mira mes Italisë dhe Gjermanisë dhe ne urojmë që kryesia italiane e Bashkimit Evropian të jetë e sukseshme”, thotë ministri Schily.

Kancelari Shrëder parashikonte që të shkonte me pushimet në brigjet e Adriatikut në fund të javës së ardhshme. Ai nuk pranoi të bënte komente për vendimin për t’i kaluar pushimet në vendlindjen e tij Hanovër.

XS
SM
MD
LG