Lidhje

Berisha: PD synon të dalë me një kandidat sa më konsensual për Bashkinë e Tiranës - 2003-07-10


Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha të enjten se brenda pak ditësh forca e tij politike do të zgjedhë kandidatin për kryetar bashkie të Tiranës, në zgjedhjet e ardhshme vendore dhe se kjo do të bëhet në bashkëpunim me partitë e tjera të opozitës. Zoti Berisha, në një intervistë për Zërin e Amerikës, shprehu bindjen se Partia Socialiste do t’i humbasë zgjedhjet dhe kritikoi qeverisjen e socialistëve në pushtet.

Zëri i Amerikës: Dr. Berisha, ku jeni ju me përgatitjet për zgjedhjet dhe çfarë përparimesh keni arritur në përpjekjet për krijimin e aleancave ose koalicioneve elektorale me partitë e tjera të opozites?

Sali Berisha: Do të dalloja dy drejtime kryesore të një pune intensive: së pari në nivel bazë, në të gjitha seksionet e Partisë Demokratike po sugjerohen, po propozohen kandidatura, pra ka filluar procesi i seleksionimit të kandidaturave dhe ky proces do të kompletohet tërësisht gjatë korrikut. Së dyti po vazhdon grupi i negociatave me të gjitha partitë opozitare duke u ofruar këtyre partive një shumëllojshmëri të madhe formash bashkëpunimi dhe koalicioni. Unë kam besim se në ditët që vijnë dhe javët që vijnë do të konkretizojmë me partitë politike opozitare format më të mira të koalicionit që atyre u interesojnë, sepse ky është një proces vullneti të lirë.

Zëri i Amerikës: Zoti Berisha, Tirana është qendra më e madhe dhe si rrjedhim vëmendja kryesore është përqendruar në kryeqytet. A mund të na thoni sot se kur do të vendosni se kush do të jetë kandidati i opozitës? Deri më tani kanë qarkulluar shumë emra si kandidatë të mundshëm të opozitës.

Sali Berisha: Unë mendoj se emrat që kanë qarkulluar kanë nderuar garën elektorale dhe janë një numër personalitetesh ndër më të shquarat në fusha të ndryshme. Besoj se përzgjedhja e kandidatit nga Partia Demokratike është çështje ditësh, por duhet të theksoj se kjo kandidaturë, këto kandidatura të përzgjedhura do të negociohen edhe me partitë e tjera opozitare, në mënyrë që të mund të shkojmë, po të jetë e mundur me një kandidaturë sa më konsensuale.

Zëri i Amerikës: A ekziston mundësia që kandidati në Tiranë të jetë i një partie tjetër të opozitës dhe jo i Partisë Demokratike?

Sali Berisha: Ekziston mundësia që kandidati në Tiranë të jetë i përkrahur nga shumë parti opozitare. Natyrisht nuk mund të them që nuk do të jetë Partia Demokratike ajo që do të përzgjedhë, por ajo do të diskutojë në këtë përzgjedhje edhe me aleatët e saj.

Zëri i Amerikës: Dr. Berisha, gjatë fjalimeve publike, veçanërisht në parlament, ju keni bërë kritika të ashpra ndaj qeverisë dhe punës së saj. Ju keni dënuar keq-qeverisjen socialiste, korrupsionin, dhe lidhjet e zyrtarëve me krimin. Por si u përgjigjeni atyre që thonë se ju po luani vetëm rolin e denoncuesit dhe se nuk keni paraqitur një alternativë bindëse për përmirësimin e qeverisjes dhe zgjidhjen e problemeve më të medha me të cilat ballafaqohet sot vendi juaj?

Sali Berisha: Unë duhet t’ju falenderoj për këtë pyetje dhe njëkohësisht u bëj thirrje atyre që kanë shtruar këtë problem të rikujtojnë të gjitha debatet e mëdha të zhvilluara në parlament. Në mënyrë absolute, kategorike ato janë shoqëruar me alternativa të qarta të Partisë Demokratike për të gjitha problemet. Në rast se rikujtojmë buxhetin, ne paraqitëm 18 amendamente për ndryshimin dhe përmirësimin e buxhetit të shtetit. Të njejtën gjë bëmë dhe me alternativat për luftën kundër korrupsionit, luftën kundër krimit të organizuar dhe reformën institucionale. Ato u pranuan edhe në rezolutën që u miratua pas debatit që u bë mbi raportin e Bashkimit Evropian. Ne vërtet kemi denoncuar përdorimin e imunitetit për mbrojtjen e korrupsionit, por kemi çuar në parlament ligje për heqjen e imunitetit të deputetëve kolektivisht në mënyrë që të jenë të hapur për hetime nga prokuroria për çdo rast korrupsioni. Pra çdo hap që ndërmarrim në parlament, ne e ndërmarrim pasi kemi përgatitur alternativën tonë. Parlamenti shqiptar është i monitoruar dhe në raportin e BE-së lidhur me këtë, besoj se nga të gjitha institucionet e vendit, është institucioni që merr rolin qendror dhe këtu dilet qartë për shkak të qëndrimeve, të propozimeve, të kritikave që bën opozita në këtë institucion. Por ka një moment: analistët dhe kritikët duhet të kenë shumë të qartë se një forcë politike ka një arenë ku të shfaqë platformën e vet dhe kjo arenë është parlamenti. Ne e bëjmë me qëllim: e shfaqim në parlament, e mbrojmë në parlament këtë platformë, për t’u dëshmuar shqiptarëve se ne jemi një parti e gatshme për të qeverisur.

Zëri i Amerikës: Doktor Berisha, pranohet tashmë se ekziston një ngjashmëri në programet e partive të ndryshme politike. Duke marrë parasysh këtë fakt, nëse e pranoni këtë fakt, cilat do të jenë disa nga çështjet kryesore që do të mbizotërojnë fushatën elektorale të partisë suaj?

Sali Berisha: Shqiptarët kanë krijuar një vetëdije që kryeministri Nano është arkitekt i demagogjisë shqiptare për të mos thënë dhe të tjera. Pavarësisht se çfarë thotë, në mënyrë absolute e ka demagogjike, sepse në gjuhën popullore tani ky kryeministër po thirret “zoti tenderman”. Pra lufta kundër korrupsionit që është një nga shtyllat kryesore të programit tonë qëndron edhe tek Partia Socialiste, në një kohë kur me të vërtetë Kryeministri vetë është shtylla kryesore dhe inspiruesi kryesor i sistemit të korrupsionit në Shqipëri, pra kemi të bëjmë me një demagogji dhe me një politikë reale. Zoti Biberaj, në rast se ndiqet me kujdes politika jonë kundër korrupsionit, ne vërtet paraqesim dosje, por rruga e këtyre dosjeve, rruga institucionale nga parlamenti, në prokurori, ndonëse jemi të bindur se këto institucione nuk do të ndërmarrin asnjë hap, por këtë e bëjmë që nesër në pushtet, të jenë të sigurtë se të korruptuarit do të kenë vetëm një vend dhe ajo do të jetë banka e të akuzuarve dhe do të japin llogari para ligjit. Pra lufta kundër korrupsionit, kundër krimit të organizuar, problemet e komuniteteve, zgjidhja e infrastrukturës, furnizimi me ujë, me energji elektrike, zhvillimi i qëndrueshëm do të jenë linjat kryesore të programit tonë.

Zëri i Amerikës: Dr. Berisha, edhe një pyetje ju lutem: tashmë është miratuar një kod zgjedhor me bashkëpëlqimin e dy forcave kryesore të vendit: partisë suaj dhe Partisë Socialiste. Me plotësimin e kuadrit ligjor, a mendoni se ekziston vullneti politik i partive shqiptare për të garantuar zgjedhje të lira dhe të drejta?

Sali Berisha:Kodi zgjedhor është i standardeve ndërkombëtare dhe unë këtë e quaj një arritje serioze, reale dhe e kam përshëndetur, kam shprehur falenderimin tim për institucionet ndërkombëtare, ekspertët e shquar ndërkombëtare që kanë punuar. Por kam bindjen e thellë se kryetari i qeverisë është shumë zemërthyer dhe po përpiqet të pengojë në mënyra të ndryshme implementimin e këtij kodi, gjë e cila do të kishte pasoja shumë të rënda për klimën dhe për vendin në tërësi. Nuk mund të them se zoti Nano ka vullnetin politik, përkundrazi ai ka fiksuar Kongresin e partisë, vetëm e vetëm në mënyrë që mund të manipulojë dhe të presë kokat pas zgjedhjeve. Në të vërtetë do t’i humbasë këto zgjedhje. Ia bëj shumë të sigurt këtë herë se është i pashpresë në këto zgjedhje. Për Kongresin, është punë e tyre, të bëjnë ç’të duan.//kk//

XS
SM
MD
LG