Lidhje

Presidenti Bush zotohet të ofrojë ndihmën amerikane për zhvillimin ekonomik të Afrikës - 2003-07-12


Gjatë ditës së fundit të turneut të tij në Afrikë, Presidenti Bush u zotua t'i ndihmojë afrikanët që t'u japin fund luftrave rajonale dhe të luftojnë përhapjen e sëmundjes vdekjeprurëse të Sidës.

Presidenti përdori sot një fjalim që mbajti në kryeqytetin e Nigerisë, Abuja, që ta vinte theksin tek çështjet rreth të cilave kishte folur gjatë turneut të tij në 5 vende afrikane.

Zoti Bush vlerësoi rolin e Nigerisë në përpjekjet për arritjen e paqes në Afrikë, përfshirë edhe në Liberi, ku Shteteve të Bashkuara po u bëhet trysni gjithnjë e më madhe për të dërguar trupa. Presidenti Bush vlerësoi gjithashtu presidentin e Nigerisë, Olusegun Obasanjo, për përpjekjet e tij për të luftuar virusin e Sidës.

Presidenti Bush e falenderoi udhëheqësin nigerian që i ofroi presidentit të Liberisë, Charles Taylor, strehim në Nigeri, sapo paqëruajtësit afrikano-perëndimorë të mbrrijnë në Liberi.

Presidenti Bush përsëriti thirrjen e tij drejtuar udhëheqësit liberian që të largohet nga pushteti për të parandaluar gjakderdhje të mëtejshme. Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara po mbështesin përpjekjet rajonale për ti dhënë fund luftës civile. Megjithatë presidenti nuk ka vendosur ende në se trupat amerikane do të marrin pjesë në forcën paqëruajtëse rajonale.

Zyrtararë ushtarakë amerikanë po takohen këtë fund jave në Gana me udhëheqës të vendeve të Afrikës Perëndimore për të diskutuar se çfarë roli mund të luajnë trupat amerikane në këtë forcë.

Zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë thonë se zoti Bush do të analizojë rezultatin e këtyre bisedimeve si dhe një raport të një ekipi humanitar në Liberi, para se të marrë vendim lidhur me dislokimin e trupave amerikane.

Nigeria dhe Gana pritet të dërgojnë pjesën më të madhe të trupave në forcën paqëruajtëse rajonale.

Pas bisedimeve me udhëheqësin nigerian dhe pas fjalimit në një takim të udhëheqësve afaristë afrikanë dhe afrikano-amerikanë, presidenti Bush nis rrugën e kthimit për në Shtetet e Bashkuara, duke i dhënë kështu fund një turneu gjatë të cilit ai shkoi edhe në Senegal, Afrikën e Jugut, Botsvana dhe në Uganda.

Po sot, presidenti u zotua të jetë aktiv në Liberi, por nuk përmendi në se kjo do të thotë se do të japë urdhër për dërgimin e trupave amerikane në Liberi. Presidenti Bush tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara nuk do ti lejojnë terroristët që ta përdorin Afrikën si bazë për të kërcënuar pjesën tjetër të botës.

//ze//

XS
SM
MD
LG