Lidhje

Kongresi i tretë i PDSH-së në Maqedoni. Arbën Xhaferri rizgjidhet kryetar - 2003-07-12


PDSH-ja mbajti në Tetovë Kongresin e tretë ku, siç pritej rizgjodhi në postet më të larta ish drejtuesit e deri tashëm. Arbën Xhaferi mbetet numri një i partisë, ndërsa Menduh Thaçi zëvendës i tij. Emrat e Murtezan Ismailit, kryetar i komunës së Tetovës, Rahim Thaçit ish-drejtor i spitalit të këtij qyteti dhe Zamir Dikës, deputet, përmendeshin më së shpeshti si kandidatë të mundëshëm për kryetar të ri të partisë. Zërat para Kongresit se zoti Xhaferi nuk do të pranonte të udhëhiqte partinë, dolën të pavërteta.

Zoti Xhaferri tha: "Shumë procese janë në gjysmë të zhvillimit dhe nuk kanë përfunduar. Në Kosovë ende nuk është zgjidhur çështja e statusit dhe varet nga kjo se çfarë qëndrimi do të marrim ne. Nëse shkohet në ndarjen e Kosovës ashtu si pretendojnë faktorë të ndrsyhëm serbë por dhe të tjerë, atëhereë objektivisht kjo do të shkaktojë edhe tendenca të ngjashme në Maqedoni.”

Zoti Xhaferi tha se Marrëveshja e Ohërit ka mbetur në gjysmë të rrugës dhe se e vetmja forcë që mund t’i nxisë këto procese në drejtim real historik është PDSH-ja. Këto janë arësyet që ai ka pranuar për një afat të caktuar të drejtojë partinë.

Risi e kongresit të sotëm janë disa kërkesa të përfshira në programin e kësaj partie, përfshi të drejtën për vetvendosje të popujve të Maqedonisë, pastaj që shteti të ketë për nënpresident një shqiptar në të ardhmen. Partia Demokratike Shqiptare kërkon gjithashtu zbatimin e plotë dhe në përpikshmëri e pa zvarritje të Marrëveshjes së Ohrit.

Partia në sytë e opinionit publik shqiptar nuk del edhe më e fortë pas Kongresit, megjithë emërimet e reja të njerëzve në kryesinë e saj qendrore. Sipas analistëve, asaj i duhet kohë që të forcojë pozitën e saj dhe ndikimin mes shqiptarëve./al/

XS
SM
MD
LG