Lidhje

Kryeministri Rexhepi: “Ideja për forcat paqeruajtëse ballkanike – e parealizueshme” - 2003-07-12


Kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi, tha të shtunën se është e papërfytyrueshme që një forcë paqeruajtëse ballkanike të marrë mbi vete detyrën e ruajtjes së paqes në Kosovë.

Ai i bëri këto komente pas deklaratës së komandantit të forcave paqëruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja, gjenerali Fabio Minni, sipas të cilit, KFOR-i do të qëndrojë në Kosovë të paktën edhe pesë vjet, ndërsa më pas ai mund të zëvendësohet me një forcë rajonale të përbërë nga trupat e Maqedonisë, Bosnjës, Serbisë e Malit të Zi, Shqipërisë dhe natyrisht të Kosovës.

Kryeministri Rexhepi tha të shtunën se një ide e tillë nuk ka ndonjë mbështetje dhe se do të ishte e parealizueshme. “Ma merr mendja se është ide pak iluzore që forcat që kanë shkaktuar konflikte këtu, të jenë paqërujatëse, prandaj nuk mendoj se është ideja më e mirë”.

Ai tha se strukturat vendore të sigurisë në Kosovë dhe rajon në të ardhmen duhet të punojnë për t’u përfshirë në partneritet me Aleancën Veriatlantike. “Strukturat ekzistuese që janë këtu, mund të hyjnë në partneritet me NATO-n dhe t’i respektojnë kriteret e NATO-s, por secila forcë mbrojtëse duhet të jetë më vete, prandaj ajo është ide që nuk mund të realizohet”.

Ideja e gjeneralit Minni ndërkaq është cilësuar si ”një ide personale” edhe nga zyrtarët e NATO-s. Të shtunën, një zëdhënës i KFOR-it në Prishtinë tha se “ky ishte një mendim i gjeneralit Minni për të ardhmen dhe asgjë tjetër”. //az//

XS
SM
MD
LG