Lidhje

Vazhdojnë debatet rreth saktësisë së fjalimit të presidentit Bush mbi armët irakine të shaktërrimit në masë - 2003-07-13


Zyrtarë të lartë të administratës së presidentit Bush thonë se CIA ndërhyri për të hequr një frazë, në një fjalim të presidentit tetorin e kaluar, në të cilën theksohej se Iraku ishte përpjekur të blente uranium nga Nigeri.

Gazeta Washington Post citonte zyrtarët, sipas të cilëve Drejtori i CIA-s George Tenet kishte bindur Shtëpinë e Bardhë ta hiqte këtë frazë pasi ishte marrë nga një burim i vetëm informacioni.

Gazeta citon një tjetër zyrtar të lartë, sipas të cilit CIA kishte dyshime në saktësinë e informacionit, i cili më pas rezultoi se ishte marrë nga dokumente të falsifikuara.

Incidenti ndodhi 3 muaj para fjalimit mbi gjendjen e vendit në janar, në të cilin ishte përfshirë një fjali jo aq specifike, që u tha se ishte marrë nga shërbimet britanike të zbulimit, mbi lidhjet ndërmjet Irakut dhe Nigerit.

Gazeta New York Times citon në numrin e saj të sotëm zyrtarë të lartë të paidentifikuar të administratës, sipas të cilëve zoti Tenet nuk e kishte lexuar atë pjesë të fjalimit mbi gjendjen e vendit, para se presidenti ta mbante fjalimin.

Shtëpia e Bardhë tha më pas se informacioni nuk duhet të ishte përfshirë në fjalim dhe zoti Tenet ka marrë përgjegjësinë për gabimin.

Sot, sekretari amerikan i Mbrojtjes Donald Rumsfeld e mbrojti Drejtorin e CIA-s dhe deklaratën mbi Nigerin.

Ai vuri në dukje se Britania ende e mbështet informacionin e saj dhe tha se askush nuk ka provuar deri tani se ky informacion është i pasaktë. Por ai tha se ky informacion nuk duhej të ishte përfshirë në fjalimin e presidentit mbi gjendjen e vendit.

//ze//

XS
SM
MD
LG