Lidhje

Dy delegacione ndërkombëtare do të vizitojnë Tiranën për reformat ekonomike - 2003-07-13


Ekonomia shqiptare dhe reformat e saj do të këtë javë në qendër të vëmendjes të institucioneve të rëndësishme perëndimore të financave. Një mision i posaçëm i Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe një delegacion i Bashkimit Europian e vizitojnë Tiranën për të parë nga afër hapat e ndërmarra në qëndrueshmërinë e ekonomisë dhe për të diskutuar me zyrtarët shqiptarë marrëveshje bashkëpunimi për të ardhmen.

Misioni i FMN shkon në Tiranë për të parë ecurinë e zbatimit të dy marrëveshjeve 3-vjeçare të nënshkruara brenda këtij viti, si dhe për të nxitur më tej ruajtjen dhe përmirësimin e treguesve makroekonomikë.

Rritja ekonomike vjetore 6% dhe kontrolli i inflacionit nën 4% janë dy nga objektivat kryesore dhe, njëkohësisht, reformimi i sistemit fiskal për të ulur evazionin, pakësimin e ekonomisë informale dhe rritjen e bizneseve të rregullta.

Zyrtarët shqiptarë deklaruan pak para vizitës se bashkëpunimi me FMN-në është në një nivel shumë të mirë, po ashtu edhe mirëkuptimi e ndihma për reformat afat-mesme të ndërmarra me Fondin, Bankën Botërore dhe Bashkimin Europian.

Një delegacion i BE-së vjen në të njëjtën kohë në Tiranë për raundin e tretë të bisedimeve teknike në kuadër të marrëveshjes së stabilizim-asociimit. Sipas specialistëve të palës shqiptare, me delegacionin e BE-së do të shqyrtohen edhe 8 nene të tjera të marrëveshjes, që lidhen me liberalizimin e tregëtisë, të cilat mund të miratohen pa vështirësi, pas arritjes së nënshkrimit të tregtisë lirë me pothuaj gjithë vendet e rajonit. Gjithashtu pritet të diskutohen edhe nene e kapituj që kanë të bëjnë prodhimet industriale dhe çështje të transporteve.

Delegacioni i BE do të shohë nga afër gjatë një vizite edhe kapacitetet e portit detar të Durrësit dhe të doganës së qytetit më të rëndësishëm bregdetar të vendit për tregtinë dhe transportet.

Autoritetet shqiptare janë të kënaqura nga ecuria e deritanishme e bisedimeve me BE-në për marrëveshjen e stabilizim-asociimit. Kryeministri Fatos Nano u kërkoi disa ditë më parë qeverisë dhe administratës shtetërore ritme më të larta në zbatimin e reformave, sidomos në fushën e ekonomisë, për të bashkëshoqëruar shpejtësinë e bisedimeve me BE për stabilizim-asociimin.

Ekspertët e Tiranës dhe ata të Brukselit kanë negociuar për afro 150 nene të marrëveshjes që nga fillimi i vitit, kur u hapën bisedimet. Konsultimet teknike janë shoqëruar me një vullnet të forcuar politik. Këtë vit kryesinë e BE-së e kanë patur njëra pas tjetrës dy shtete fqinje, Greqia dhe Italia. Nga deklaratat e autoriteteve më të larta italiane, Shqipërisë i janë rritur shpresat se Italia, si kryesuese e radhës, do ta ndihmojë shumë për përmbushjen e kritereve të BE-në. //az//

XS
SM
MD
LG