Lidhje

Blerim Shala: Shqiptarët sot janë më të gatshëm se më parë të kuptojnë realitetet dhe zhvillimet në rajon dhe më gjerë. - 2003-07-14


Zëri i Amerikës Zoti Shala, kur pritet të fillojnë bisedimet midis shqiptarëve dhe serbëve për çështje teknike. Është pëmendur muaji shtator.

Blerim Shala Unë mendoj se shtatori ose tetori do të jetë muaji kur do të fillojnë bisedimet për çështjet praktike apo teknike, të cilat nuk lidhem me statusin e Kosovës. E dimë mirë që ndërkohë duhet të vijë shefi i ri i UNMIK-ut. Duhet të kalojmë pushimet verore dhe besoj se të dy palët do të jenë të përgatitura që të fillojnë bisedimet për këto çështje.

Zëri i Amerikës Ka kritikë që thonë se në këto bisedime nuk mund të arrihet shumë, pasi palët nuk do të jenë në pozita të barabarta negociatash. Cili është mendimi juaj?

Blerim Shala Personalisht jam i bindur se në fazën e parë të bisedimeve do të kemi më shumë zvarritje dhe probleme sidomos nga Beogradi, për arsye se regjimi aktual serb është në vigjilje të zgjedhjeve të reja të jashtëzakonshme parlamentare, të cilat në qoftë se nuk mbahen deri në fund të këtij viti duhet të mbahen vitin e ardhshëm. Nuk besoj se Beogradi zyrtar është i interesuar të ketë sukses në këto bisedime, të ketë kompromise për çështje teknike si po thuhet. Sot e kësaj dite, Beogradi refuzon të njohë targat e veturave kosovare, lejet e njoftimeve, dokumentet e udhëtimit dhe çështje të tjera të cilat tregojnë qartë se në Beograd akoma nuk ka disponim që të pranohet realiteti i ri në Kosovë.

Zëri i Amerikës Po pala shqiptare, zoti Shala, çfarë synon të arrijë nga këto bisedime?

Blerim Shala Pala shqiptare është e gatshme të bisedojë dhe nuk kemi të bëjmë vetëm me prononcime verbale të politikanëve tanë. Mendoj që për çështje të cilat janë paraparë që duhet të jenë pjesë përbërëse e këtyre bisedimeve, ne nuk kemi çfarë të hezitojmë. Duhet të bisedohet dhe të adresohet çështja e të zhdukurve. E dimë fare mirë që mbi katër mijë shqiptarë llogariten si të zhdukur, apo të pagjetur si po thuhet kohët e fundit. Pastaj, kemi çështjen e kthimit të të shpërngulurve. Po ashtu politikanët tanë janë shprehur qartazi në favor të saj. Pastaj, kemi edhe çështje që kanë të bëjnë me bashkëpunimin në luftën kundër krimit të organizuar, i cili po ashtu është interesi ynë. Pra, ka shumë çështje për të cilat mund të bisedohet pa humbur asgjë në pozicionin tonë në Kosovë dhe pozicionin tonë ndërkombëtar, përkundrazi.

Zëri i Amerikës Siç e përmendët edhe ju më lart, bisedimet përkojnë edhe me ndryshimin e administratorit të OKB-së për Kosovën. A pritet të ndikojë kjo për mbarëvajtjen e tyre?

Blerim Shala Sigurisht. Mendoj që Shefi i UNMIK-ut është i domosdoshëm si pjesë përbërëse e delegacionit të Kosovës. Sidoqoftë, mendoj se ka ndryshuar paksa skema e bisedimeve midis Prishtinës dhe Beogradit me vetë faktin se ekziston një lloj marrëveshjeje, që megjithatë, Unioni Europian dhe Solana të jenë bartës të këtyre bisedimeve, natyrisht në partneritet me Shtetet e Bashkuara. Prandaj, mendoj se Shefi i ri i UNMIK-ut në të ardhmen do të jetë pjesë përbërëse e delegacionit të Kosovës se sa do të jetë një udhëheqës, apo një lehtësues i bisedimeve midis Prishtinës dhe Beogradit. Gjithnjë e më shumë, për mendimin tim do të forcohet rëndësia e faktorit vendor, faktorit shqiptar në Kosovë.

Zëri i Amerikës Zoti Shala, kalojmë në një temë tjetër. Një nga problemet më të mprehta në Kosovë që lidhet edhe me plotësimin e standarteve, është trajtimi i pakicës serbe. Kohët e fundit udhëheqësit politikë shqiptarë u bënë thirrje në një letër të hapur të zhvendosurve të kthehen në Kosovë. A është kjo thirrje e mjaftueshme për të siguruar të larguarit që, në Kosovë do të gjejnë një mjedis të përshtatshëm për të jetuar?

Blerim Shala Ky është një prej elementëve natyrisht. Thirrja publike ishte shumë e qartë. Ajo është pjesë përbërëse e krijimit të një atmosfere të re politike në Kosovë, e cila nënkupton pikë së pari, ruajtjen e konsensusit midis tre partive dhe drejtuesve kryesorë dhe pastaj krijimin e një raporti të veçantë midis Kosovës, UNMIK-ut dhe Perëndimit dhe së treti, krijimin e rrethanave shumë më të mira të sigurisë në Kosovë. Duhet thënë hapur që trajtimi i minoritetit serb dhe minoriteteve të tjera, ashtu siç pret prej nesh Perëndimi, është interesi ynë kombëtar. Siç dihet, një nga standartet për t’u njohur si shtet i pavarur është trajtimi i duhur i minoriteteve, krijimi i raporteve të qarta me shtetet fqinje për sa i përket kufijve, respektimi i të gjitha detyrimeve ndërkombëtare që mund të pasojnë prej shtetit që duhet të njihet. Prandaj, të gjithë këto mendoj se përbëjnë një paketë, realizimi i së cilës është në interesin tonë dhe lehtëson në mënyrë shumë të madhe krijimin e shtetit të Kosovës dhe njohjen e tij nga faktori ndërkombëtar.

Zëri i Amerikës Zoti Shala, edhe një pyetje e fundit. Thirrja e politikanëve që është vlerësuar edhe nga komuniteti ndërkombëtar si një gjest i vullnetit të mirë, mbetet gjithsesi një gjest politik, pra siç u shprehët edhe ju, një nga elementët për kthimin e të zhvendosurve. Por sa ka ndryshuar opinion publik në Kosovë? A janë shqiptarët sot, katër vjet pas përfundimit të luftës, më të gatshëm për të falur, për të pranuar bashkekzistencën me serbët në Kosovë?

Blerim Shala Qytetarët dhe votuesit e Kosovës, siç thashë edhe më parë, i besojnë dy parimeve shumë të rëndësishme. Së pari, nëse politikanët tanë ruajnë konsensusin apo pajtueshmërinë e plotë për një çështje, ata gjithsesi do t’a pranojnë atë marrëveshje, ide, solucion dhe propozim. Së dyti, nëse ta zëmë, një veprim të tillë e përkrah Uashingtoni, Londra dhe shtete të tjera që kanë bërë punë të madhe për çlirimin e Kosovës, ata do t’a kenë shumë më të lehtë t’a pranojnë veprimin e pushtetarëve tanë. Dhe së fundi, natyrisht, që klima politike ka ndryshuar shumë në Kosovë. Shqiptarët sot janë më të gatshëm se më parë të kuptojnë realitetet dhe zhvillimet në rajon dhe më gjerë. Por mendoj se edhe nga ana e Beogradit duhet të ketë sinjale dhe mesazhe shumë të qarta për qytetarët serbë të Kosovës, sepse vetëm në atë mënyrë krijohet një klimë shumë e favorshme politike. Politikanët serbë në Kosovë duhet të tejkalojnë politikën e pengesës për pushtetin në Kosovë, ndërsa regjimi serb duhet të dërgojë, për bindjen time, dy mesazhe shumë të qarta për qytetarët e Kosovës. Së pari, ata duhet të thonë se kurrë më forcat serbe nuk do të kthehen në Kosovë dhe së dyti, që çfarëdo që të ndodhë në Kosovë, ajo do të udhëhiqet prej vetë kosovarëve. Nëse qytetarët serbë i kuptojnë këto dy mesazhe, nëse regjimi serb i dërgon ato, mendoj se do të krijohen rrethana shumë të favorshme për krijimin e një pushteti vërtetë funksional në Kosovë dhe për kthimin e refugjatëve.

XS
SM
MD
LG